Në një moment muajin e kaluar, fëmijët u pranuan në Spitalin e Fëmijëve Yale New Haven në SHBA me një gamë befasuese prej shtatë virusesh të frymëmarrjes. Ata kishin adenovirus dhe rhinovirus, virus syncytial të frymëmarrjes dhe metapneumovirus njerëzor, influenzë dhe parainfluenzë, si dhe koronavirus, për të cilin shumë specialistë thonë se është fajtor për rritjet e pazakonta të shifrave me viruse tjera.
“Kjo nuk është tipike për çdo kohë të vitit dhe sigurisht jo tipike në maj dhe qershor”, tha Thomas Murray, ekspert i kontrollit të infeksionit dhe profesor i asociuar i pediatrisë në Yale. Disa fëmijë të shtruar në spital ishin të infektuar me dy viruse dhe disa me tre, tha ai.
Prej më shumë se dy vitesh në pandeminë e koronavirusit, viruset e zakonshme po reagojnë në mënyra të pazakonshme. Virusi syncytial i frymëmarrjes, i njohur si RSV, zakonisht i kufizon sulmet në muajt e dimrit, shkruan "washingtonpost".
Rhinovirusi, shkaku i ftohjes së zakonshme, rrallë i dërgon njerëzit në spital.
Dhe gripi, që siç dukej se po rikthehej në dhjetor pas mosshfaqjes vitin e kaluar, u zhduk përsëri në janar sapo varianti omikron i koronavirusit doli në pah.
Mjekët po rimendojnë rutinat, duke përfshirë mbajtjen e masave parandaluese në pranverë dhe madje edhe në verë. Studiuesit kanë një mundësi të rrallë për të kuptuar nëse ndryshimet e sjelljes së njerëzve (qëndrimi në shtëpi, maskat dhe distancimi shoqëror) janë përgjegjës për ndryshimet virale dhe çfarë avantazhi evolucionar mund të ushtrojë SARS CoV-2 ndaj rivalëve të tij mikroskopikë.
“Është një eksperiment natyral masiv”, tha Michael Mina, epidemiolog dhe shef i shkencës në platformën digjitale eMed. Mina tha se ndryshimi në sezon është gjerësisht i shpjeguar nga mungesa e ekspozimit të fundit ndaj virusëve të zakonshëm, duke i bërë njerëzit të pambrojtur për kthimin e tyre.
Edhe ftohjet e zakonshme duken pak më të forta, sipas Richard Martinello, specialist për viruset e frymëmarrjes në Shkollën e Mjekësisë Yale.
“Kur njerëzit ftohen, duket se janë pak më keq”, tha ai.
Ne kemi evoluar së bashku me patogjenët. Kontaktet tona të rregullta me ta zakonisht ua lejojnë sistemeve imunitare të rimarrin përgjigjen pa na sëmurë shumë. Sistemi ka “kujtesë të mjaftueshme për t’u bërë më shumë si një përforcues i mirë i zemrës sesa një infeksion i keq”.
“Në momentin që nuk shihni një virus në ritëm të rregullt, siç ndodhi gjatë pandemisë, ai ekuilibër natyror prishet”, tha Mina.
Masat e jashtëzakonshme që morëm për të kufizuar ekspozimin ndaj koronavirusit kufizuan gjithashtu ekspozimin ndaj viruseve të tjerë. Nëse ekspozoheni sërish ndaj një virusi pasi të ketë kaluar shumë kohë, mund të mos jeni në gjendje të mbroheni, duke çuar në rritje të infektimeve jashtë sezonit në të gjithë popullatën dhe infeksione çuditërisht të forta për individët. Kjo, thonë Mina dhe të tjerët, është ajo që ndodhi sapo njerëzit hoqën maskat dhe filluan të mblidheshin në hapësirat e brendshme. Viruset filluan të qarkullojnë jashtë sezonit sepse imuniteti i popullatës ishte i ulët.
“Të gjithë këto vendime kanë pasoja”, tha Murray.
Nuk është ende e qartë nëse rënia e rasteve të gripit në janar u shkaktua tërësisht nga njerëzit që distancoheshin përsëri nga njëri-tjetri pasi u përhap omikron ose nëse koronavirusi veproi për të larguar rivalin e tij më të zakonshëm përmes ndonjë mekanizmi tjetër.
Mina parashikon që koronavirusi, si viruset e tjera të frymëmarrjes, do të bjerë në një model të qarkullimit sezonal sapo të rritet imuniteti i popullsisë, duke ulur atë që njihet si “forca e infeksionit”.
Përktheu: Forca Jashari