Lifestyle

Çka është gunga e vogël që shfaqet në gji gjatë gjidhënies dhe a paraqet rrezik për nënat?

Një kanal i bllokuar i gjirit mund të shfaqet si një gungë e butë me madhësinë e një bizeleje ose më e madhe. Herë pas here paraqitet në formën e një gunge të vogël të bardhë në thimth.

Kjo gjë mund të ndodhë kur poria bllokohet nga një copë lëkure ose një sasi e vogël e qumështit të ngurtësuar të gjirit kur bebja nuk di të thithë mirë apo kur nuk pozicionohet për të pirë në mënyrën e duhur.

Gjithashtu mund të shkaktohet edhe nga pompa e gjirit kur ajo nuk vendoset mirë në thimth.

Është shumë e zakonshme të ndodhë një bllokim i tillë, mirëpo nuk ndodh te të gjitha nënat. Gratë në numër të madh shqetësohen për këtë dukuri.

“Cleveland Clinic” në SHBA ka shkruar se gjidhënia duhet vazhduar, pavarësisht gungës. Ajo nuk i pengon asgjë bebes, madje kjo gjë mund të ndihmojë në zhbllokimin e pores së mbyllur.

Gjatë gjidhënies gunga e vogël ku bllokohet poria mund të shkaktojë mbyllje të një kanali të qumështit dhe si pasojë mund të krijoi mastit. Mastiti është infeksion i gjinjve, si pasojë e të cilit bllokohet qumështi brenda në gji.

Gunga e vogël mund të trajtohet në shtëpi duke aplikuar kompresa (lecka të lagura) me ujë të ngrohtë. Kjo gjë ndihmon poret të hapen dhe e liron qumështin që është bllokuar duke i ndihmuar të dalë jashtë. Gjithashtu mund të masazhohet edhe me vaj ulliri e pastaj të lihet të qëndrojë në thimth për 20-30 minuta.

Gjidhënia dhe pompimi i shpeshtë ndihmojnë lirimin e poreve në thimth.

Mirëpo nëse gunga nuk largohet brenda 48 orëve apo edhe pas disa javësh pas trajtimit, atëherë është mirë të bëhet një vizitë te mjeku. Ndonjëherë gunga mund të mbulohet me një shtresë të hollë lëkure që nuk e lejon të shërohet plotësisht.