Lifestyle

Burrat shtuan gjatësi e peshë dyfish më shumë se gratë në shekullin e kaluar

Popullata

Ilustrim

Foto: Associated Press

Burrat kanë shtuar gjatësi dhe peshë dyfish më shpejt se gratë përgjatë shekullit të shkuar (1900-2000), duke i bërë edhe më të theksuara dallimet mes gjinive.

Profesori Lewis Halsey nga Universiteti i Roehamptonit në Londër, dhe kolegët e tij kanë mbledhur të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, autoritete të tjera dhe ato britanike për të parë ndryshimin në gjatësi dhe peshë ndër vite. Këto u përllogaritën nga indeksi i zhvillimit human (HDI), që është matje e cila bazohet në jetëgjatësi, kohën e kaluar në shkollim dhe të hyrat për kokë banori, e që si shkallë matet nga 0 në 1.

Sipas të dhënave të dhjetëra shteteve u gjet se për çdo 0.2 pikë rritjeje në indeksin e zhvillimit human, gratë ishin mesatarisht 1.7 centimetra më të gjata dhe 2.7 kilogramë më të rënda, ndërsa burrat 4 centimetra më të gjatë dhe 6.5 kilogramë më të rëndë. Kjo sugjeron se sa më shumë të përmirësohen kushtet e jetesës, rritet gjatësia dhe pesha, por më shumë se dyfishi më shpejt te burrat se te gratë. 

Në analizë janë përdorur të dhënat e marra nga Britania e Madhe. Nga viti 1900, HDI-ja është rritur prej 0.8 në 0.94 më 2022. Gjatë pjesës së parë të shekullit, rritja mesatare e grave ishte 1.9% nga 159 centimetra në 162, ndërsa e burrave nga 170 në 177 (4%).

“Në perspektivë, një në katër vajza të lindura më 1905 ishte më e gjatë se mesatarja e djemve të lindur po atë vit, por kjo ra në një në tetë gra për lindjet më 1958”, ka thënë Halsey.

Në një artikull të publikuar në “royalsocietypublishing”, shkencëtarët kanë spekuluar se kanë qenë preferencat seksuale të grave ato që kanë nxitur trendin për burra më të gjatë e më muskulozë. Shtati dhe fiziku janë indikatorët e parë të shëndetit dhe vitalitetit, ka thënë Halsey, ndërsa përzgjedhja seksuale favorizon gjithashtu burrat që janë më të aftë t’i mbrojnë partneret dhe pasardhësit e tyre kundër të tjerëve.