Lifestyle

Bisedat e shkurtra, të mira për shëndetin

Bisedat e vogla

Bisedat e vogla

Ndonjëherë, kur dikush qëndron në radhë në supermarket ose farmaci, një person i panjohur mund të fillojë një bisedë.

Mund të dëgjohet ndonjë pyetje e tillë si :“Përshëndetje, si jeni?”. Dhe përgjigjja mund të jetë: “Mirë, po ju?”

Përgjigja mund të pasojë me një bisedë të thjeshtë, lidhur me motin, ndonjë ngjarje sportive, diçka që ndodhi gjatë udhëtimit të mëngjesit ose diçka qesharake që bëri qeni i personit. Ajo nuk është një bisedë thelbësore, por ju mund të gjendeni papritmas duke marrë pjesë në një bisedë të shkurtër.

Disa njerëz mund të kenë frikë nga këto biseda të dukshme pa rëndësi ose mendojnë se nuk vlejnë për t’u bërë, ndërsa të tjerë mund të shijojnë këto shkëmbime të lehta. Në shumicën e rasteve, sidomos me të panjohur ose edhe te njohur, bisedat e shkurtra janë të paevitueshme pasi të dyja palët përpiqen të gjejnë një pikë takimi.

“Është një komunikim që përdorim për të orientuar dhe njohur njëri-tjetrin, dhe është porta për biseda më të thella dhe më të pasura. Shumë mund të kenë takuar dikë në grupin e tyre të miqve përmes një bisede të shkurtër”, ka thënë Matt Abrahams, një ligjërues në sjelljen organizative në Universitetin Stanford.

Pse janë të rëndësishme bisedat e shkurtra?

Për ata që nuk kanë shumë praktikë në bisedat e shkurtra, sfida mund të duket e frikshme. Ata mund të shqetësohen për të dhënë një përgjigje të shpejtë dhe të duhur, por kjo mund të bëhet më e lehtë me disa këshilla.

Megjithatë, pse duhet bërë biseda të shkurtra?

Pavarësisht nëse dikush kërkon t’i bëjë ose t’i shmangë, studimet kanë treguar se bisedat e thjeshta mund të kenë ndikime pozitive në shëndetin dhe mirëqenien, siç janë përmirësimi i humorit dhe zvogëlimi i ndjenjës së izolimit.

“(Biseda e shkurtër) është diçka që ne psikologët e konsiderojmë si thelbësore. Është si (nevojat për) ushqim, ujë – kemi nevojë të ndihemi se përkasim diku dhe se kemi rëndësi për të tjerët”, ka thënë Gillian Sandstrom, profesoreshë e psikologjisë së mirësisë në Universitetin e Sussex në Mbretërinë e Bashkuar.

Ish-drejtori i Institutit të Shëndetit Publik të SHBA-së, Vivek Murthy, shpalli vetminë si epidemi në vitin 2023. 

Të dhënat e Gallupit kanë treguar se një në pesë të rritur vuajnë nga vetmia në SHBA, niveli më i lartë në dy vjetët e fundit.

Sipas Sandstromit, bisedat e shkurtra mund t’u ndihmojnë njerëzve të ndihen më të lidhur dhe të krijojnë një ndjenjë të fortë komuniteti. 

“Bisedat me të panjohur mund të duken të frikshme sepse nuk e dimë çfarë do ndodhë, por është gjithashtu emocionuese. Është e bukur dhe ndihmon të mësojmë diçka të re ose të shohim një këndvështrim të ri”, ka thënë ajo.

Si të bëhesh ekspert në bisedat e shkurtra

Në disa raste, si për ngjarje pune apo thjesht krijimi i lidhjeve, dikush mund të përgatitet paraprakisht për bisedat spontane. 

Doktoresha Sunita Sah, psikologe organizative dhe profesoreshë në Cornell University, ka sugjeruar njerëzit që të hulumtojnë për personat që mund t’i takojnë dhe të planifikojnë pyetje për ta, për t’ju ndihmuar ta ulin ankthin.

Në momente spontane, ka disa truqe për të bërë një bisedë të mirë. Më e thjeshta është të bëni një vëzhgim rreth situatës tuaj të përbashkët, dhe kjo është arsyeja pse shpesh flitet për motin, për ndonjë ngjarje të fundit ose për ndonjë përvojë të zakonshme si udhëtimi i mëngjesit.

“Biseda e shkurtër nuk është një ndeshje tenisi, ku duhet ta ktheni topin sa më shpejt te tjetri. Më pëlqen ta mendoj këtë si një lojë – ku qëllimi është të bashkëpunoni për ta mbajtur topin lart”, ka thënë Abrahams.

Një mënyrë tjetër është të ngadalësoni ritmin dhe të merrni pak kohë para se të përgjigjeni, pasi kjo do të ndihmojë që përgjigjja të jetë më e qartë dhe më e strukturuar. 

“Në këto biseda, mund të thoni: ‘Më jep një moment të mendoj për këtë,’ ose mund të bëni një pyetje sqaruese që ju jep kohë për t’u menduar”, ka shtuar Abrahams.

Praktikoni dhe bëhuni më të sigurt

Si çdo aftësi tjetër, bisedat e shkurtra përmirësohen me praktikën. Nëse dikush kalon kohë të gjatë pa u angazhuar në biseda të tilla, ato mund të duken më të frikshme se sa janë në të vërtetë.

Sandstrom ka thënë se sa më shumë të angazhoheni në biseda të shkurtra, aq më të sigurt bëheni në aftësitë tuaja sociale dhe më pak do të shqetësoheni për refuzimin.

Në fund të ditës

 

Biseda e shkurtër është menduar për të qenë e lehtë dhe e këndshme, dhe një dozë humori dhe dhembshurie gjithmonë ndihmon.

“Unë e dua shumë bisedën e shkurtër. Mendoj se ajo ofron mundësi për ndërveprime të këndshme gjatë ditës, me njerëz që nuk dëshiron t’i njohësh më thellë. Ajo ndihmon në ndërtimin e besimit dhe krijimin e një marrëdhënieje miqësore”, ka thënë Sah.

Sipas doktoreshës, në botën e sotme, ku shumica e njerëzve mund të kthehen në telefonat e tyre ose të kalojnë ditë pa folur me dikë, bisedat e shkurtra janë mënyrë e duhur për të ulur ndjenjën e vetmisë dhe për të lidhur njerëzit mes tyre.