Lifestyle

Aspirina do të testohet si ilaç i mundshëm ndaj COVID-19

“Ekziston një shpjegim i kuptueshëm që e arsyeton besimin se aspirina mund të jetë e dobishme, dhe se është e sigurt, jo e kushtueshme dhe gjithandej e siguruar”, ka thënë Peter Horby, njëri prej drejtuesve kryesorë të testimit

Aspirina, ilaçi kundër dhembjeve, do t’i nënshtrohet një vlerësimi si trajtim i mundshëm kundër COVID-19, në kuadër të njërit prej testimeve më të mëdha në Britaninë e Madhe, në të cilin do të hulumtohet nëse ky bar mund ta ulë rrezikun e mpikjes së gjakut tek personat e prekur nga sëmundja.

Shkencëtarët përgjegjës për testimin e njohur si “RECOVERY”, në kuadër të të cilit janë duke u shikuar një gamë e gjerë e trajtimeve potenciale kundër COVID-19, kanë thënë se do ta përfshijnë edhe këtë ilaç që rëndom përdoret si hollues i gjakut.

“Ekziston një shpjegim i kuptueshëm që e arsyeton besimin se aspirina mund të jetë e dobishme, dhe se është e sigurt, jo e kushtueshme dhe gjithandej e siguruar”, ka thënë Peter Horby, njëri prej drejtuesve kryesorë të testimit.

Pacientët e infektuar me koronavirus përballen me shkallë të lartë rreziku për të pasur mpiksje të gjakut, për shkak të trombociteve hiper-reaktive, të cilat janë pjesë të qelizave që ndihmojnë në ndaljen e gjakderdhjes. Aspirina është një agjent antitrombocitar dhe mund ta ulë rrezikun nga mpiksja e gjakut, është bërë e ditur të premten në uebfaqen e testimit RECOVERY.

Së paku 2.000 pacientë të rastësishëm parashikohet që të marrin dozë ditore prej 150 mg aspirinë, shoqëruar me trajtimet e tjera të zakonshme. Të dhënat nga këta pacientë do të krahasohen më pas me ato të të paktën 2.000 pacientëve të tjerë, të cilët kanë marrë trajtim standard për COVID-19, ka bërë të ditur uebfaqja.

Dozat e vogla ditore të aspirinës janë konstatuar se e zvogëlojnë rrezikun nga kanceret e caktuara. Si një tëhollues i gjakut, ky ilaç e rrit rrezikun nga gjakderdhja e brendshme, dhe konsumimi i tij për një periudhë më të gjatë është ndërlidhur me dëmtimin e veshkave.

Mënyrat e tjera të trajtimit që janë duke u testuar në kuadër të “RECOVERY” përfshijnë antibiotikun e zakonshëm azitromicin dhe përzierjen e antitrupave të “Regeneron”-it, e cila ishte përdorur për trajtimin e simptomave të COVID-19 tek presidenti amerikan, Donald Trump.

Për dallim prej remdesivirit të “Gilead”-it, i cili ishte miratuar si trajtim kundër COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që dhanë rezultate jo të kënaqshme në një testim të madh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aspirina është një ilaç i përgjithshëm, gjë që e bën atë edhe shumë më të lirë.

Testimi i “RECOVERY” ishte i pari që ka treguar se deksametasoni, një steroid ky që po ashtu është shumë i lirë dhe gjithandej i qasshëm, mund të shpëtojë jetët e personave të sëmurë rëndë nga COVID-19.

Ky testim ka treguar gjithashtu se ilaçi kundër malaries, hidroksiklorokina, i cili ishte proklamuar fuqishëm nga presidenti Trump, nuk ka pasur ndonjë efekt në trajtimin e pacientëve me COVID-19.