Një ide e re po sfidon mënyrën si është kuptuar shëndeti mendor deri më tani, dhe nuk ka të bëjë vetëm me terapinë. Psikiatri i Harvardit, doktori Chris Palmer, ka thënë se “hallka që mungon” mund të jetë pikërisht ajo që kemi mësuar në lëndën e biologjisë në shkollë: mitokondria
Mitokondria, e njohur zakonisht si “fabrika e energjisë” e qelizës, nuk prodhon vetëm energji për trupin. Ajo luan rol kyç edhe në funksionimin e trurit, përgjigjet ndaj stresit, prodhimin hormonal dhe kontrollin e inflamacionit. Dhe kur nuk funksionon siç duhet, pasojat mund të jenë më të thella sesa është menduar deri më sot për zhvillimin e sëmundjeve mendore si depresioni, ankthi apo çrregullimi bipolar.
Prestigjiozja “Forbes” ka shkruar se kjo teori është shtjelluar së fundmi në një episod të podcastit “Huberman Lab”, ku doktori Chris Palmer, psikiatër dhe studiues në Universitetin e Harvardit, ka prezantuar 12 ide thelbësore që lidhin mitokondrinë me shëndetin mendor, dhe që mund të sinjalizojnë një ndryshim rrënjësor në psikiatri.
1. Sëmundjet mendore mund të nisin nga mungesa e energjisë në tru
Truri ka nevojë për sasi të mëdha energjie për të funksionuar. Kur mitokondria dështon në prodhimin e molekulave të energjisë (ATP), komunikimi ndërmjet neuroneve ndërlikohet dhe mund të lindin simptoma si depresioni, irritimi apo vështirësitë në përqendrim.
2. Shëndeti metabolik ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor
Çrregullime si obeziteti, diabeti apo sindroma metabolike janë të lidhura me rritjen e rrezikut për sëmundje mendore. Lidhja qëndron në faktin se sistemet që rregullojnë sheqerin në gjak, inflamacionin dhe energjinë ndajnë të njëjtin rrjet biologjik me trurin.
3. Trauma në fëmijëri dëmton mitokondrinë
Një studim i botuar në PNAS ka gjetur se gratë që kishin përjetuar abuzim në fëmijëri tregonin shenja të ndryshimeve të qëndrueshme në mitokondri. Stresi i hershëm kronik mund të përshpejtojë plakjen dhe të rrisë rrezikun për sëmundje mendore.
4. Nevoja për trajtime gjithëpërfshirëse
Psikiatria shpesh sillet në rrethin “psikologji – ilaçe – mbështetje sociale”. Por këto fusha duhet të bashkohen. Shëndeti mendor është sistematik: ndikohet nga biologjia, marrëdhëniet dhe mënyra e jetesës.
5. Stili i jetesës si bazë e shërimit
Gjumi cilësor, ushqimi i ekuilibruar, aktiviteti fizik, menaxhimi i stresit dhe lidhjet sociale janë thelbësore për një tru të shëndetshëm. Ato mund të restaurojnë funksionin e mitokondrive dhe të përmirësojnë gjendjen emocionale.
6. Ushtrimet rrisin kapacitetin energjetik të trurit
Aktiviteti i lehtë fizik, sidomos në zonën e quajtur “Zone 2”, rrit efikasitetin e mitokondrive edhe në tru. Kjo përkthehet në përqendrim më të mirë, humor më të qëndrueshëm dhe tolerancë më të lartë ndaj stresit.
*Shpjegim: Zona 2 është një nivel i intensitetit të ushtrimeve kardio, ku trupi përdor kryesisht yndyrën si burim energjie. Është një nga pesë zonat e rrahjeve të zemrës dhe konsiderohet shumë efektive për shëndetin metabolik, funksionin e mitokondrive dhe qëndrueshmërinë fizike dhe mendore.
7. Dieta ndikon më shumë se sa mendojmë
Nuk është fjala vetëm për superushqime, por për modelin e përgjithshëm ushqimor. Ushqimet e përpunuara dhe sheqernat e tepërta dëmtojnë mitokondritë dhe ndikojnë negativisht në funksionin e trurit.
8. Substancat e dëmshme, rrezik për trurin dhe trupin
Përdorimi i rregullt i alkoolit, nikotinës apo substancave stimuluese ndikon negativisht në mitokondri, rrit inflamacionin dhe nxit dështimin e aftësive njohëse dhe çrregullimet emocionale.
9. Serotonina nuk është gjithçka
Edhe pse antidepresivët luajnë rol të rëndësishëm, modeli i vjetër i “balancimit kimik” është i pjesshëm. Ilaçet nuk zëvendësojnë serotoninën, por ndikojnë në mënyrën se si truri përdor energjinë.
10. Mitokondria dhe stresi janë të lidhura
Mitokondritë janë të përfshira në të katër hallkat e reagimit ndaj stresit: kortizolin, adrenalinën, inflamacionin dhe shprehjen gjenetike. Kur janë të shëndetshme, trupi rikuperohet. Kur dëmtohen, mbetemi në “modalitet mbijetese” (survival mode).
*Shpjegim: “Modaliteti i mbijetesës” është gjendja kur trupi dhe truri funksionojnë sikur janë në rrezik të vazhdueshëm, gjithçka është e përqendruar në mbijetesë, jo në mirëqenie.
11. Trajtimi duhet të jetë i personalizuar
Jo të gjithë kanë nevojë për të njëjtën gjë. Disa për terapi, disa për ilaçe, disa për ndryshime në stilin e jetesës. Trajtimi efektiv është individual, fleksibil dhe i shumanshëm.
12. Afrimi drejt një ndryshimi të madh në psikiatri
Psikiatria tradicionale ka parë trurin si një sistem të veçuar. Por truri është pjesë e trupit, dhe çdo ndërhyrje për të përmirësuar shëndetin mendor duhet të nisë edhe nga mënyra e të ushqyerit, mënyra e gjumit dhe ajo e lëvizjeve.