Duke u fokusuar në zakone të shëndetshme dhe aktivitete, mund të rritet niveli i dopaminës, neurotransmetuesit që ndikon në ndjenjën e kënaqësisë dhe motivimit, ose siç njihet “hormoni i lumturisë”, ka shkruar AOL .
Dopamina "shpërblen" trurin kur trupi bën aktivitete jetike si të ushqyerit dhe hidratimi, duke i shtyrë njerëzit që t’i përsërisim ato.
“Dopamina na ndihmon duke shpërblyer sjelljet që na sigurojnë mbijetesën. Ajo na jep ndjenjën e arritjes”, ka thënë doktoresha Emily Gordon, profesoreshë e mjekësisë në Rutgers New Jersey Medical School.
Çfarë është dopamina?
Dopamina është një neurotransmetues, kimikat në tru që përcjell mesazhe ndërmjet neuroneve dhe ndikon në lëvizjet trupore, emocionet dhe motivimin.
“Quhet edhe ‘kimikati i ndjesisë së mirë’”, ka shpjeguar dokoresha Charlotte Markey, profesoreshë e psikologjisë në Rutgers University.
Është krejt normale që njerëzit të kenë ulje të nivelit të dopaminës herë pas here, sidomos gratë gjatë ciklit menstrual, menopauzës, ose thjesht kur dikush është në një gjendje të keqe emocionale.
Fatmirësisht, ka mënyra të shëndetshme për ta rritur atë natyrshëm.
Aktivitetet që rrisin dopaminën
Nuk ka një formulë të vetme për të gjithë.
“Çdo person reagon ndryshe në varësi të metabolizmit të dopaminës”, ka thënë Gordon.
Ajo ka rekomanduar disa mënyra të mbështetura nga shkenca që mund t’i provoni:
1. Lëvizni trupin
Aktiviteti fizik rrit ndjeshëm sinjalizimin e dopaminës. Synoni të paktën 150 minuta ushtrime kardiovaskulare në javë. Zgjidhni aktivitete që i doni si vrapimi, ecja e shpejtë, kërcimi, lojëra me fëmijët apo çiklizëm.
2. Dëgjoni muzikë
Studimet tregojnë se dëgjimi i muzikës stimulon lirimin e dopaminës dhe aktivizon qendra të ndryshme të trurit.
Këshillohet që të dëgjoni muzikën tuaj të preferuar, por provoni edhe këngë të reja për të sfiduar trurin.
3. Meditoni
Meditimi ndihmon lirimin e dopaminës dhe përmirëson funksionet e trurit, sidomos ato që lidhen me emocionet, ankthin dhe depresionin. Gordon ka këshilluar që të filloni me meditime të thjeshta falas në platforma si UCLA Mindful ose aplikacione të dedikuara.
4. Provoni diçka të re
Eksperiencat e reja stimulojnë memorien dhe rrisin nivelin e dopaminës.
Sipas Gordon duhet të mësoni një aftësi të re, provoni një recetë të pazakontë ose vizitoni një qytet që s’e keni parë më parë.
5. Flini mjaftueshëm
Mungesa e gjumit ul ndjeshmërinë e receptorëve të dopaminës në tru.
Këshillohet që të ruani një rutinë të rregullt gjumi, ftohni dhomën dhe largoni pajisjet elektronike një orë para gjumit.
6. Dilni në natyrë
Vetëm 20 minuta në natyrë mund të ulin nivelin e kortizolit, hormonit të stresit, sipas studimeve.
Këshillohet që të lexoni një libër në park, ecni në pyll ose kujdeseni për kopsht.
7. Lidhu me njerëzit
Ndërveprimi social nxit prodhimin e dopaminës më shumë sesa ndërveprimi me një kompjuter, sipas një studimi.
Gordon ka thënë se duhet të ftoni një mik për kafe ose bashkohuni në klube me interesa të përbashkëta.
8. Pushoni trurin
Nëse ndiheni të bllokuar në një detyrë, një pushim i vogël me një aktivitet të këndshëm mund të rifreskojë trurin dhe të nxisë dopaminën.
Gordon shton se duhet të krijoni një “menu të dopaminës” me aktivitete që i doni, si përkëdhelja e kafshës shtëpiake, një telefonatë e shpejtë me një mik ose një shëtitje e shkurtër në natyrë.