Lifestyle

Si po ndikon ndotja e ajrit te cikli i hershëm menstrual

Ndikimi i ndotjes së ajrit te ciki i hershëm menstrual

Një studim i ri që është bërë ka treguar se cikli menstrual po fillon herët te vajzat në SHBA dhe për këtë pjesërisht fajtor po konsiderohet të jetë ajri i ndotur.

Për shumë dekada, shkencëtarët nëpër botë kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth çështjes se vajzat po hyjnë shumë herët në fazën e pubertetit, krahasuar me gjeneratat e mëparshme.

Duke filluar nga cikli menstrual i parë si dhe fillimi i zhvillimit trupor, këto ndryshime themelore po vlerësohet se po ndodhin në moshë mjaft të hershme.

Është vlerësuar se cikli menstrual te vajzat amerikane fillon katër vjet më herët, krahasuar me vajza që kanë jetuat një shekull më parë. Të dhënat e reja, të publikuara në maj, kanë treguar se përderisa vajzat që kanë lindur mes viteve 1950 e 1969, cikli menstrual ka nisur zakonisht në moshën 12 vjeç e gjysmë, kjo moshë është ulur në 11.9 vjeç në gjeneratat e viteve 2000.

I njëjti trend, si në Amerikë, po ndodh edhe nëpër vende të tjera në botë. Shkencëtarët koreanojugorë të alarmuar kanë përshkruar se është rritur numri i vajzave që hyjnë në pubertet para moshës tetë vjeçare, ndërkohë që kanë bërë të ditur se ky numër është rritur gjatë periudhës mes viteve 2008 e 2020.

“Ne gjithashtu kemi vënë re se fillimi i pubertetit në moshë të hershme po ndodh më shumë te grupet me status të ulët socioekonomik si dhe te minoritetet”, ka thënë profesoresha Audrey Gaskins nga Universiteti Emorey në Atlanta.

Studiuesit, si Gaskins, janë të shqetësuar sepse puberteti në moshë të hershme mund të sjellë komplikim në aspekte të ndryshme shëndetësore me kalimin e kohës.

Të dhënat e shfaqura më herët kanë sugjeruar se puberteti i hershëm jo vetëm që do të kufizojë fertilitetin e të shkaktojë menopauzë në moshë të re, por edhe mund ta shkurtojë jetën.
Puberteti i parakohshëm vazhdimisht ka pasur lidhje me rrezik më të madh ndaj kancerit të gjirit si dhe vezoreve, sindroma metabolike si mbipesha dhe diabeti i tipit 2, si dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Shkencëtarët ende janë duke u munduar të zbulojnë se pse po ndodh kjo, por profesoresha Brenda Eskenazi, nga Universiteti i Californisë, ka thënë se një teori sugjeron se nëse qelizat trupore ekspozohen për një kohë të gjatë ndaj një niveli qarkullues të hormoneve seksuale, të tilla si estrogjeni, kjo gjë mund të rritë rrezikun për zhvillim të ndonjë tumori, sepse këto hormone stimulojnë rritjen e qelizave.

“Ka disa teori se ekspozimi për kohë të gjatë ndaj hormoneve rrit rrezikun për kancer të organeve riprodhuese”, ka thënë Eskenazi.

Kjo gjë krijon mundësi për pasoja sociale pasi Eskanzi ka theksuar se vajzat që hyjnë herët në pubertet ka mundësi të bëhen seksualisht aktive më herët.

“Është situatë frikësuese në SHBA pasi aborti ilegal po bëhet trend si dhe kontraceptivët po bëhen jo të qasshëm. Kjo gjë do të qojë te më shumë shtatzëni të padëshiruara te adoleshentët, prandaj bashkimi i këtyre faktorëve është mjaft frikësues”, ka thënë ajo.

Së fundmi është ngritur pyetja se pse po ndodh zhvillimi i fëmijëve kështu?

Nga mbipesha e deri tek ndotja e ajrit

Fillimi i pubertetit diktohet nga dy rrjete të gjera komunikimi që ndodhën në trup, hipotalamo-hipofiza-adrenale (HPA) dhe akset hipotalamike-hipofizare-gonadale (HPG). Këto të dyja lidhin një regjion në tru që quhet hipotalamus, i cili rregullon shumë funksione esenciale ne trup që nga uria e deri te kontrollimi i temperaturës trupore, si dhe gjëndrat që sekretojnë hormone.

Gaskins ka thënë se 10 deri në 20 vjet më parë, shkencëtarët kanë menduar se shkaktari i vetëm i pubertetit të hershem është mbipesha në fëmijëri, gjë që proteinat që prodhohen nga qelizat dhjamore, të cilat quhen adipokine, luajnë rol në stimulimin e HPS-së dhe HPG-së.

“Vetëm së fundmi njerëzit e kanë parë se kjo nuk shpjegon gjithçka, duhet të jenë të përfshirë faktorë të tjerë”, ka thënë ajo.

Në vend të kësaj, një numër i madh i studimeve që u bënë në tri vjetët e fundit ka vënë një pjesë të fajit te ndotja e ajrit.

Shumica e këtyre studimeve janë bërë nga shkencëtarë që vijnë nga Koreja Jugore, pasi qytetet si Seoul, Busan dhe Incheon, janë klasifikuar si ndër qytetet më të ndotura në botë, sipas IQAir index.

Në një studim që është publikuar së fundi nga Ewha Womans University në Seoul, në vazhdimësi është identifikuar një lidhje në mes të ekspozimit në ajër të ndotur dhe fillimit të hershëm të pubertetit.

Disa nga fajtorët më të mëdhenj janë konsideruar të jenë dioksidi i sulfurit, doksid nitrogjeni, monoksidi i karbonit dhe ozoni, të cilat lirohen në ajër nga emetimi i gazit të veturave apo mbeturinat që shkaktohen nga impiantet e prodhimit.

Në vitin 2022 një studim që bënë shkencëtarët në Poloni, vend ky i cili njihet për ajër të ndotur që shkaktohet nga fabrikat e thëngjillit, ka shikuar të dhënat e 1,257 grave dhe ka gjetur lidhshmëri në mes të ekspozimit më të madh ndaj nitrogjenit dhe gazrave dhe ciklit menstrual që fillon në moshën 11 vjeçe.

Ndoshta shqetësimi më i madh qëndron te grimcat e imëta që lirohen nga ndotësit e ndryshëm.
Në muajin tetor të vitit 2023, Gaskins dhe kolegët e saj kanë gjetur se vajzat në SHBA të cilat ekspozohen ndaj grimcave shumë të imëta që ndodhen në ajër të ndotur, PM2.5, të cilat konsiderohet të jenë me diametër më të vogël se 2.5 mikron, si dhe PM10, grimca me diametër 10 mikron, që në mitrën e nënës dhe gjatë fëmijërisë, kanë më shumë mundësi të kenë cikël menstrual në moshë të hershme.

“Grimcat me diametër 2.5 mikron mund të depërtojnë lehtë në gjak, mund të merren përmes frymëmarrjes, të hyjnë në mushkëri dhe të mos filtrohen sikur të tjera grimca që ndodhen në ajër dhe kështu pastaj mund të depërtojnë nëpër organe të ndryshme”, ka thënë Gaskins.

Ajo gjithashtu ka cekur se disa grimca me diametër 2.5 ose më të vogël mund të akumulohen në placentë e vezore.

Studimet që përdorën mostra të marra nga ajri i ambienteve të brendshme, kanë treguar se grimcat e imëta që gjenden në të gjithashtu kanë fuqi të ndërveprojnë me receptorë të hormoneve të ndryshme që janë të përfshira në zhvillim, veçanërisht në androgjen dhe estrogjen. Kjo gjë potencialisht mund të nxitë reagime zinxhirore që qojnë në inicimin e pubertetit.

“Kjo ka qenë hipoteza jonë e parë, se vajzat që kanë pasur më shumë ekspozim ndaj grimcave ndotëse me diametër 2.5, janë gjithashtu të ekspozura ndaj më shumë kemikaleve që ose vepronin si estrogjen apo vetëm pengonin rrjedhën normale të HPA-së dhe sinjalet e saj të rregullta, duke e shtyrë trupin të hyjë herët në pubertet”, ka thënë Gaskins.

Në të njëjtën kohë, ka mundësi të ketë shumë faktorë të ndryshëm që mund të jenë të përfshirë në pubertet të parakohshëm. Gaskins ka bërë të ditur se provat që u gjetën në grimcat me diametër 2.5 ose më të vogla, janë vetëm një shembull se si kemikalet dëmtuese të ambientit mund të depërtojnë thellë brenda në trup duke stimuluar ndryshimet hormonale.

“Një tjetër fajtor i madh mund të jetë ekspozimi ndaj kemikaleve të dëmshme që dëmtojnë procesin hormonal e qw mund të shkaktohet nga produktet e kujdesit personal”, ka bërë të ditur Gaskins.

Në përgjithësi, Eskanzi ka thënë se ende ka shumë gjëra që nuk i dinë rreth botës që po ndryshon çdo ditë dhe se si këto ndryshime po ndikojnë në zhvillimin e fëmijëve, dukë marrë parasysh edhe rolin dëmtues që ka mikroplastika si dhe ndryshimet klimatike, për të cilat ende nuk dihet shumë.

“Mendoj se ne gjendemi ende vetëm tek maja e një ajsbergu. Ende nuk e dimë se si klima më e ngrohtë do të ndikojë tek cikli menstrual, as rolin e faktorit social, i cili po u bën presion vajzave të rriten shpejt. Por ky trend është më se i vërtetë dhe mund të jetë për shkak të shumë shkaqeve të ndryshme ku kombinohen kemikalet e ambientit, mbipesha dhe çështjet psikosociale, të cilat po ulin moshën e fillimit të ciklit të parë menstrual”, ka thënë ndër të tjera Eskanzi.