Kuriozitet

Zgjidhet restoranti më i mirë në botë

Restoranti me i mirë në botë

Një restorant në Barcelonë të Spanjës kryeson listën e 50 restoranteve më të mira në botë.

Sidoqoftë, nëse shpresoni të rezervoni një tryezë në “Disfrutar”, mund të zhgënjeheni - lista e pritjes zgjat pothuajse një vit.

“Disfrutar” do të thotë “të kënaqesh”.

Restoranti me këtë emër në Barcelonë është një histori mahnitëse suksesi.

Ka marrë vlerësime të larta nga udhërrëfyes të ndryshëm prestigjiozë, përfshirë “Michelin”.

Dhe tani i është dhënë vendi i parë në listën e 50 restoranteve më të mira në botë.

Për kuzhinierët që filluan biznesin, është një nder i madh pas shumë vitesh përgatitje.

Oriol Castro, Mateu Casanas dhe Eduard Xatruch u takuan në restorantin legjendar “El Bulli” ku punuan si kuzhinierë nën urdhrat e Ferran Adria dhe Juli Soler, raporton AP.

Pikërisht aty këta tre katalonjas i zhvilluan aftësitë e tyre dhe morën njohuritë që tani i kanë çuar në kulmin e arritjeve në kuzhinë.

Në vitin 2012, ata vendosën të bëhen partnerë dhe të hapin restorantin e tyre të parë: “Compartir” në qytetin e Gironas.

Që atëherë, tre shefat e kuzhinës kanë hapur dy restorante të tjera: “Disfrutar” në Barcelonë  dhe “Compartir” gjithashtu në Barcelonë.

Ata thonë se çmimi demonstron fuqinë e kuzhinës spanjolle.

“Në të kaluarën ka qenë kuzhina e madhe franceze, më pas ka qenë lëvizja, këtu në Spanjë, e kuzhinës baske. Pastaj erdhi revolucioni El Bulli dhe padyshim ne vazhdojmë ta kemi këtë revolucion në Katalonjë, në Spanjë, me Celler de Can Roca dhe më pas me ne duke marrë këtë çmim të parë”, thotë Castro.

Në vitin 2015 ata morën yllin e tyre të parë “Michelin”, në 2017 të dytin dhe të tretin në 2023.
Në vitin 2022 ata dolën në vendin e tretë në listën e 50 restoranteve më të mira të botës, në vitin pasues të dytin.

Edhe me një progres kaq të qartë vit pas viti, ky çmim erdhi befasishëm.

“Deri në atë moment, ata nuk e bënë publike që ne jemi numër një, nuk e dinim dhe kjo e bën një moment magjik. Pra është e pabesueshme, është e papërshkrueshme dhe e pakrahasueshme”, thotë Casanas.

Faqja e internetit e 50 restoranteve më të mira në botë e përshkruan “Disfrutar” si përvoja më e mirë e ushqimit e provuar ndonjëherë dhe vlerëson gatimet e shkëlqyera, mjeshtërinë teknike të patejkalueshme dhe prezantimin lozonjar.

Çuditërisht, kërkesa për tavolina është në një rekord të lartë.

“Që kur morëm çmimin, e vërteta është se çështja e rezervimeve ka ardhur duke u rritur. Më parë kishim një listë pritjeje ndoshta shtatë apo tetë muajsh, tani kemi gati një vit në listën e pritjes”, shpjegon menaxheri Vicente Lara.

Ai thotë se çmimi gjithashtu i vendos shumë lart pritshmëritë e klientëve që do të thotë më shumë presion për ekipin në rritje që tani numëron 75 punëtorë.

Në 22 vjetët që është publikuar renditja, restoranti fitues tetë herë ka qenë nga rajoni i e Katalonjës në verilindje të Spanjës.

“Disfrutar” ndjek gjurmët e “El Bulli” dhe “El Celler de Can Roca”.