Kuriozitet

Zbulohen 109 kafshë të gjalla në çantat e dy indianeve në aeroportin e Tajlandës

Dy gra janë arrestuar në aeroportin e Bangkokut “Suvarnabhumi” dhe po akuzohen për kontrabandë, pasi 109 kafshë të gjalla janë gjetur në bagazhet e tyre, kanë bërë të ditur zyrtarë të Tajlandës.

Departamenti tajlandez i Parqeve Nacionale, Jetës së Egër dhe Konservimit të Bimëve, ka bërë të ditur se kafshët e egra janë zbuluar në dy çanta, pas inspektimit me rreze X, raportoi CNN-i të martën.

Zyrtarët e kafshëve të egra, të thirrur në vendngjarje, zbuluan dy derra të vegjël, dy armadillo, 35 breshka, 50 hardhuca dhe 20 gjarpërinj.

Sipas autoriteteve tajlandeze, çantat u takonin dy grave indiane: Nithya Raja 38 vjeç dhe Zakia Sulthana Ebrahim 24 vjeç, të cilat duhej të udhëtonin për në qytetin indian Chennai.

Dy gratë janë akuzuar për dhunim të botës së egër shtazore.

Trafikimi i kafshëve përmes aeroportit është që një kohë të gjatë problem në vete në Tajlandë dhe Indi. Në vitin 2019, një burrë që kishte arritur në Chennai të Indisë nga Bangoku, ishte arrestuar në aeroport, pasi zyrtarët doganorë ia kishin gjetur një leopard të vogël 1-muajsh në bagazh.

Një raport i marsit të vitit 2022 nga “TRAFFIC”, agjenci për monitorimin e tregtisë së kafshëve të egra, konstatoi se më shumë se 70.000 kafshë të egra vendase dhe ekzotike u zbuluan në 18 aeroporte indiane midis viteve 2011 dhe 2020.

“Aeroporti Ndërkombëtar Chennai, Tamil Nadu, regjistroi numrin më të madh të incidenteve të konfiskimeve të kafshëve të egra, i ndjekur nga Aeroporti Ndërkombëtar Chhatrapati Shivaji, Mumbai dhe Aeroporti Indira Gandhi i Nju Delhit”, thuhet në raport.

Image