Ngasja e veturës nën rrezet e diellit është e përkryer për makinën e Nikita Poddubnovit, pasi që ajo fuqinë e merr direkt prej tyre.
Inxhinieri autodidakt 23-vjeçar ka shpikur një veturë unike elektrike, që përdor panele diellore për t’u mbushur.
Poddubnovi synonte prej kohësh ta ndërtonte një veturë që nuk kërkon përdorimin e karburanteve të kushtueshme për t’u vënë në lëvizje. Dhe rezultati i punës së tij të gjatë ishte një veturë 150-kilogramëshe, që përdor vetëm energjinë diellore për të funksionuar.
“Forma e veturës është e bërë tërësisht nga unë, është punuar nga alumini, në mënyrë që të jetë sa më e ndritshme që është e mundur. Rrotat janë marrë nga skuterët kinezë. Pjesa e prapme e rrotave është zëvendësuar me një makinë elektrike që ka një kilovat fuqi”.
Vetura ka të vendosura në të katër anët panele të veçanta prej 200 vatësh, si dhe një tjetër panel 400 vatësh në një karrocë.
Poddubnovi ka thënë se vetura i ka kushtuar rreth 2 mijë e 670 dollarë dhe se ideja për të i ka lindur gjatë punës së mëhershme.
“Para tre vjetësh, kur u zhvendosa në Shën Petersburg, u punësova në një kompani që bënte pompa për mbushje të makinave elektrike dhe punëtorët aty ngisnin vetura elektrike tërë kohën. Nuk paguanin për karburant dhe ua kisha zilinë. Kështu që, vendosa ta bëja vetë një të tillë”.
Për nëntë orë mbushen plotësisht panelet diellore të veturës së tij. Me to, më pas mund të udhëtojë për gjashtë orë resht, me shpejtësi prej 30 kilometrash në orë.
Kur moti është me diell, Poddubnovi thotë se vetura mund të lëvizë edhe pa bateri.
Megjithëse ka hapësirë të vogël të brendshme, Poddubnovi planifikon që të niset me të gjatë kësaj vere nga Samara drejt Kinës, për një udhëtim rreth 3 mijë kilometrash.
Madje ka krijuar një aplikacion të posaçëm për telefon të mençur, me të cilin mund t’i vërë në funksion nga distanca disa pajisje në veturë.
Shpikësi ka në Youtube kanalin e tij “Temnaya Faza”, që do të thotë “Faza e Errët”, dhe ka gjeneruar mbi 850 mijë abonues. Në të mund të gjenden video, ku ai e shpjegon procesin e ndërtimit të krijimeve të tija.
Poddubnovi tani synon që të ndërmarrë përmirësime në veturën e tij diellore, ashtu që ta bëjë më të përshtatshme për udhëtime të gjata.