Kuriozitet

Tuma e tretë në Himarë, dëshmi parahistorike e ritit të varrimit ndër ilirë

Puna e nisur më 2018 ka rezultuar me zbulime të rëndësishme në varrezën tumulare parahistorike në Himarë. Komuna që gjendet midis Vlorës dhe Sarandës ka nxjerrë dëshmi që dokumentojnë ritin e varrimit, siç pretendojnë arkeologët e shekujve XI-X para erës sonë. Siç ndodh rëndom në Shqipëri – e prej sivjet edhe në Kosovë – udhëheqësit shtetërorë kanë dhënë lajmin për këtë zbulim që konsiderohet i rrallë.

Fillimisht qe kryeministri Edi Rama ai që ka publikuar pamjet e strukturës së tumës së tretë në kompleksin tumular. Bëhet fjalë për kodërvarret, ku varroseshin një familje a fis.

“Zbulime mbresëlënëse në Himarë” titullohet njoftimi i kryeministrit Rama, ku tregohet se gjatë gërmimeve të muajit tetor u zbulua tuma e tretë, pranë varrezës tumulare në Himarë, “që paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve”.

Image

e zbuluara në to i përkasin periudhës së hekurit të hershëm (shek. XI-X p.kr). Tumat prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së bronzit dhe hekurit në bregdetin jonian. Kultura e dokumentuar në to është e njëjtë me atë të pjesës tjetër të Ilirisë”, ka shkruar Rama në rrjete sociale.

Pas tij, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka bërë të ditur se është përmbyllur me rezultate mbresëlënëse ekspedita e gërmimeve arkeologjike pranë varrezës tumulare në Himarë.

“Gjatë gërmimeve të muajit tetor u zbulua dhe u dokumentua tuma e tretë, që paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve, krahasuar me kodërvarret e tjera të njohura dhe studiuara deri më tani në vendin tonë”, ka shkruar ajo.

Image

Sipas Margaritit, gjatë gërmimeve u zbuluan edhe disa objekte arkeologjike, mes të cilave një enë balte dhe një majë heshte e periudhës së hekurit të hershëm.

“Tumat prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së bronzit dhe hekurit në bregdetin jonian. Tuma ndodhet në shtratin e përroit të Korramit, për këtë arsye specialistët e DRTK Vlorë dhe Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore tashmë po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve të tumës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga prurjet e përroit gjatë muajve të dimrit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Image

Prej vitit 2018 në Himarë kishte nisur të punohej në atë që qe konsideruar qysh në krye të herës si vepra më e rëndësishme arkeologjike e viteve të fundit. Asokohe aludimet shkonin deri në nivelin sa besohej që varrezat tumorale i përkasin periudhës së shekujve XV-XII. Bëhet fjalë për struktura arkeologjike që kishin dalë në pah nga rrjedha e përroit Koram. Prej atëherë vazhdimisht është thënë se rëndësia e zbulimit është tepër e madhe, pasi dëshmohen gjurmët ilire në Himarë, sepse varrezat tumorale janë një traditë parahistorike. Me këtë zbulim Himara në breg të Jonit është futur në hartën arkeologjike parahistorike. Gjetjet e luajtshme, pos eshtrave, ia kanë shtuar vlerën vendbanimit të moçëm.