Kuriozitet

Trendi i TikTokut për “çokollatën e Dubait” shkakton mungesë të fëstëkut

Cokollata e Dubait

Promovimet që u bëhen disa produkteve në TikTok kanë tejkaluar pritshmëritë dhe kanë prekur edhe ekonomitë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri tek Irani. Një rast i tillë është shembulli i çokollatës së mbushur me krem fëstëku që u bë tejet virale pas disa videove të shpërndara në këtë rrjet sociale.

E ashtuquajtura “çokollatë e Dubait” ishte postuar në një video më 2023 dhe deri tash ka marrë mbi 120 milionë klikime, pa u llogaritur fare videot pasuese.

Viraliteti ka bërë që tash të ketë mungesë të përbërësit jetik – kokrrave të fëstëkut, që kultivohen kryesisht në SHBA ose në Iran.

Ndërkohë, çmimet janë rritur dukshëm, sipas ekspertëve ekonomikë.

Mania për këtë çokollatë ka bërë që edhe prodhuesit më të njohur të çokollatave të nisin t’i nxjerrin produktet e çokollatës me fëstëk, por tani po hasin në vështirësi që ta mbulojnë krejt tregun botëror.