Kuriozitet

Trendi i rrjeteve sociale: Sfida për të mos blerë gjëra joesenciale brenda vitit

Blerja

Një trend në rrjetet sociale i quajtur “Sfida për të mos blerë brenda vitit” po bën bujë. Rregullat e vetimponuara të sfidës janë të thjeshta: pjesëmarrësit zotohen të ndalojnë blerjen e sendeve jo thelbësore. Kjo mund të nënkuptojë këpucë të panevojshme, produkte shtesë bukurie ose blerje të tjera për një kohë të caktuar, zakonisht 12 muaj.

Trendi që filloi disa vite më parë si një eksperiment  për buxhetimin dhe shpenzimet e ndërgjegjshme është bërë një fenomen.

Një grup në “Reddit”, ku njerëzit ndajnë përvojat e tyre, ka 51 mijë anëtarë.

Sfida kryesisht fitoi popullaritet në TikTok, ku disa video të përdoruesve që kërkojnë të mbajnë veten përgjegjës për paratë kanë marrë qindra mijëra shikime.

Elysia Berman, drejtoreshë kreative 35-vjeçare që jeton në Brooklyn, i kaloi vitet e fundit duke shpenzuar në veshje të stilistëve të vjetër, kur nuk mund t’i përballonte të rejat. Ajo vendosi se duhej të ndryshonte në mënyrë drastike zakonet e blerjeve.

“Pika ime e kthesës ishte kur kuptova se kisha borxhin me numër pesëshifror.  U lodha vërtet duke qenë vazhdimisht në një cikël të blerjes dhe shlyerjes së borxhit dhe thjesht doja të merrja kontrollin e shpenzimeve të mia”, ka thënë Berman.

Të flasësh për ndonjë vështirësi financiare personale është e vështirë për shumicën e njerëzve, por Berman i diskuton vështirësitë e saj financiare me miqtë dhe familjen dhe më pas poston në lidhje me këto çështje në TikTok.

Ajo ka mbi 60 mijë ndjekës në TikTok, ku një video në të cilën ajo shfaqi lëkurën e saj të thatë dhe produktet e kujdesit të flokëve, mori mbi 1 milion shikime.

“Më duket sikur jam në një grup të alkoolistëve anonimë. Tiktoku është mbështetja ime, ndihem sikur kur flas aty po i tregoj dikujt me çfarë po përballem. Kam ndërtuar një komunitet atje. Ka shumë njerëz që po kalojnë të njëjtën gjë. Trendi është bërë jashtëzakonisht i rëndësishëm për qenien time dhe më pëlqen ta di se mund t’i ndihmoj edhe të tjerët”, është shprehur ajo.

Njerëzit që përballen me sfidën pa blerje po mësojnë teknika të reja që u ndihmojnë të shmangin shpenzimet.

Dhe gjersa sfida është menduar të zgjasë vetëm për një vit, ata që e kanë nisur këtë tashmë mund ta vërejnë se mosblerja për disa gjëra që nuk janë elementare u është bërë zakon dhe madje e kalojnë afatin e  caktuar kohor.