Kuriozitet

Si duket “mashkulli perfekt” sot?

Çfarë e bën një mashkull simpatik - apo të bukur? Në dekadat e kaluara, ikonat më të famshme që kanë përfaqësuar në një mënyrë bukurinë mashkullore perëndimore kanë qenë një grup mjaft i ngushtë - yjet me sy blu të ekranit si Brad Pitt ose Leonardo DiCaprio vijnë në mendje. Por ideja se si duket mashkulli "perfekt" po evoluon ndërsa bota e filmit dhe modës përqafojnë një larmi më të madhe dhe rëndësia e përfaqësimit kuptohet nga markat globale.

Në të gjithë botën, standardi i idealizuar i formës mashkullore të skalitur rrallë ka reflektuar trupin e një njeriu mesatar. Sidoqoftë, rrjetet sociale si TikTok po ndihmojnë për të ndryshuar standardet e bukurisë mashkullore duke shfaqur burra që më parë nuk do t’u jepej mundësia të shfaqeshin. Modeli britanik, ylli i TikTokut Ben James po ndryshon mënyrën se si ne i shohim burrat më të mëdhenj. Në vitin 2019, ai mori pjesë në një fushatë reklamuese për markën e veshjeve “Simply Be”, duke u shfaqur së bashku me të tjerë dhe ka punuar me Ted Baker dhe Asos. James i tha BBC-së se puna e tij "u jep rehati dhe besim djemve dhe burrave njësoj, u tregon atyre se ata janë të kërkuar dhe ata janë të denjë".

Derisa yjet femra me madhësi plus, si Lizzo dhe modelja Ashley Graham kanë qenë në famë për shumë kohë, ekuivalentët e tyre meshkuj kanë qenë më pak në qendër të vëmendjes. Sidoqoftë kohët e fundit marka e të brendshmeve të Rihannas “Savage Fenty” ka ndihmuar në normalizimin dhe dhënien e një vëmendjeje për burrat me madhësi plus. Siç thotë Ben James: “Fokusi duhet të zhvendoset nga këta trupa të arritur në mënyrë të panatyrshme që as vetë aktorët nuk mund t'i mbajnë".

Profesori i antropologjisë në Universitetin e Edinburgut, Alexander Edmonds, thotë se: "Për shkak të trashëgimisë së skllavërisë dhe kolonializmit imazhet e burrit të bukur kanë qenë gjithmonë shumë të bardhë, dhe në të kaluarën, kishte më pak pengesa për këtë për ta ndryshuar por kjo mund të jetë duke ndodhur tani”.

Supermodelet zezake si Tyson Beckford dhe Alton Mason rregullisht mbulojnë kopertinat e revistave dhe bota e modës gradualisht po bëhet më e larmishme, ndoshta pjesërisht sepse ndryshimet globale të shoqërisë si “lëvizja Black Lives Matter” kanë bërë që markat të njohin nevojën për larmi.

Edmonds thotë se stereotipat për burrat po ndryshojnë dhe se nuk janë më idealë këta që u përmenden më lartë. Ai merr shembull Azinë, sidomos kulturën në Korenë e Jugut.

Në Korenë e Jugut, ideali është bërë që të jetë më femëror, me rritjen e grupeve K-Pop të tilla si BTS, të njohur për flokët e tyre më të gjatë e me ngjyra dhe makijazhin. Kjo lloj bukurie nuk do të pranohej nga standardet tradicionale perëndimore - por tani është shumë i kërkuar dhe me shumë ndikim në mediat kryesore.

Supermodelët meshkuj, siç duket, gradualisht po arrijnë suksesin e kolegëve të tyre femra dhe po fitojnë fuqi në vitet e fundit. Modeli amerikan Tyson Beckford u rekrutua nga “Ralph Lauren” për të qenë fytyra e markës, dhe që atëherë është bërë supermodeli zezak më i famshëm i të gjitha kohërave. Modeli Sean O'Pry, ndërkohë, ka gdhendur një karrierë prej më shumë se 15 vjet, duke e bërë atë mes supermodelëve më të pasur meshkuj në botë.

Dhe nocioni tradicional i Mesdheut, tip "i gjatë, i errët dhe i pashëm" ende kërkohet, pavarësisht nga diversiteti në rritje.

Antropologu Shafee Hassan thotë për BBC-në: "Burrat mesdhetarë kanë një avantazh të madh me vetullat e errëta dhe qimet e errëta në fytyrë”.

I bukur sipas këtyre standardeve është aktori italian Michele Morrone. Nga Puglia, Italia e Jugut, ai ishte duke punuar deri vitin e kaluar si kopshtar në Romë ndërkohë bënte audicione për aktrim. Jeta e tij ndryshoi brenda natës kur ai mori rolin kryesor në filmin “365 Ditë”, i cili u bë një nga filmat më të shikuar në platformën e Netflixit në vitin 2020.

"Nuk mund ta mohoj se pamja ime më ndihmoi në marrjen e rolit, sepse i përshtatem karakteristikave të sakta të Massimos; ai është i gjatë me flokë kafe. Por nëse ata do të zgjidhnin një aktor tjetër, a do të ishte i njëjti? Keni pamjen por nëse nuk dini të kërceni...", ka thënë Morrone.

Megjithatë, pavarësisht suksesit të vazhdueshëm të bukurisë tradicionale, norma e standardit të burrit të bukur po hapet.