Shkencëtarët kanë gjetur dëshmi të reja e që po cilësohen si më të fuqishmet deri tash se përtej orbitës së Tokës mund të ketë jetë.
Një ekip i Cambridget, i cili po hulumton atmosferën e planetit të quajtur K2-18b, ka vërejtur shenja të molekulave të cilat në Tokë prodhohen nga organizmat e thjeshtë.
Kjo është hera e dytë, dhe më premtuesja, që kemikatet e lidhura me jetën janë zbuluar në atmosferën e planetit nga Teleskopi Hapësinor i NASA-s “James Webb”.
Por ekipi dhe astronomët e pavarur thonë se duhen ende të dhëna për t’i konfirmuar rezultatet.
Profesor Nikku Madhusudhan, që udhëhoqi studimin, ka thënë se ai shpreson që të marrë dëshmi të tjera së shpejti.
“Kjo është dëshmia më e fortë deri tash se ka mundësi për jetë atje. Mund të them realisht se mund ta konfirmojmë këtë sinjal për një deri dy vjet”, ka thënë ai.
Gjetja e kemikaleve nuk mund të konsiderohet si dëshmi për aktivitet të alienëve, por mund të afrojë te përgjigja e pyetjeve nëse jemi të vetëm në univers.
K2-18b është dy herë e gjysmë më i madh se Toka dhe është 700 trilionë milje apo 124 vjet drite larg nesh – distancë tejet larg asaj që mund të arrihet nga njerëzimi.