Një artiste misterioze ka lënë një sërë tabelash në Northamptonshire në Britani duke tallur pushtetin lokal për numrin e gropave në rrugë. Protestuesja e paidentifikuar, e njohur si “Daventry Banksy”, deri tani ka vendosur 26 tabela, të cilat i ka bërë vetë dhe po bëhet shpejt një heroinë lokale.
Falë kësaj artisteje misterioze, e njohur si “Daventry Bansky”, po shfaqen një sërë tabelash nëpër qytetin e Daventryt, nëpërmjet të cilave po kritikohet puna e pushtetit lokal.
Protestuesja anonime thotë se Këshilli lokal nuk ka arritur të merrej me problemin e gropave.
Ajo ka vendosur 26 tabela, të cilat i ka bërë vetë për të kritikuar autoritetet për mosveprim.
Parullat e saj mund të jenë zbavitëse, por ajo është shumë krenare për përpjekjet e saj për të trajtuar një çështje goxha serioze për qytetin.
Me fytyrën e fshehur brenda një bluze me kapuç gri, artistja misterioze tregon për të bëmat e saj.
“Ju e dini se ka disa njerëz që janë të lumtur duke u ulur në divanet e tyre në shtëpi, duke u ankuar për gropat. Ka disa njerëz që me të vërtetë tërbohen nga rruga e tillë. Unë veproj. U ngrita nga divani dhe fillova të vendosja shenja përqeshëse”.

Mekaniku lokal, Gordon Anderson, e kupton zemërimin e saj.
Ai ka parë shumë automjete në punëtorinë e tij me rrota të dëmtuara si pasojë e rrugëve me gropa.
“Kjo u kushton klientëve shumë para çdo ditë. Ata po vijnë shumë të mërzitur”, thotë ai.
Këshilli lokal hoqi shumë nga tabelat e saj menjëherë pasi ajo i vendosi ato, por përpjekjet e kësaj vigjilenteje të gropave nuk kanë kaluar pa u vënë re nga komuniteti lokal.
Një tjetër banor, kasap me profesion, tregon se është i gatshëm ta mbështesë artisten në çdo formë.
“Ajo e merr votën time. Jemi 500 mijë banorë në Northamptonshire dhe të gjithë jemi dakord me të.
Në rast se do të donte të ndërmerrte diçka më të madhe ajo do ta kishte plotësisht mbështetjen tonë”.
“Ajo është absolutisht e shkëlqyer”, thotë ai.