Kuriozitet

Piktorët zbukurojnë drunjtë e dëmtuar nëpër parqet ruse

Picasso në park. Ky rikrijim i veprës “Vajza në top” të Pablo Picassos është bërë në një vend krejtësisht të pazakontë – është pikturuar në një nga drunjtë e parkut “Izmaylovo” në Moskë.

Projekti “ParkArt” është lansuar më 2016 nga Mospriroda – institucion ky shtetëror për mjedis, që kujdeset për hapësirat e gjelbra në kryeqytetin rus. Tani, ky projekt është shndërruar në një traditë të përvitshme.

Artistja, Elena Menshova, merr pjesë në të për herë të parë. Mendon se karakteret nga bota e kafshëve i shkojnë më së shumti për shtati natyrës.

“Jam duke pikturuar ketra që shikojnë me habi nga kjo zgavër. Mendova se ishte punë e ndonjë artisti të veçantë që punon në park, por këtë vit zbulova se po ftohen të marrin pjesë edhe njerëz të tjerë, dhe e pashë këtë si një mundësi të mrekullueshme për veten”, ka thënë ajo.

Veprat artistike punohen me ngjyra akrili. Janë më të sigurta dhe nuk depërtojnë në pemë, kanë thënë organizatorët.

Kushdo që shpreh dëshirën që ta shpërfaqë anën artistike mund të përfshihet – nisur prej fëmijëve e të rriturit, e deri te artistët profesionalë dhe ata amatorë, pavarësisht moshës dhe profesionit.

Krejt çfarë duhet bërë është që veprat t’u dërgohen paraprakisht organizatorëve dhe më vonë edhe një skicë për drurin e caktuar.

Pikturat janë më shumë sesa zbukurime në pyll. Kjo ide është pjesë e një procesi të vazhdueshëm për trajtimin e drunjve të dëmtuar në parqet e Moskës.

Specialistët si Pavel Skorodumov duhet t’i përgatisin drunjtë, para se artisti ta thotë fjalën e fundit. Puna e tij është që t’i përpunojë drunjtë e dëmtuar nga moti, nga njerëzit apo kafshët. I pastron, i dezinfekton dhe më pas i rregullon me çimento.

“Pjesa e brendshme e drurit fillon të shpërbëhet nën veprimin e kërpudhave. Kjo formon zgavra dhe kësisoj druri mund të bjerë me kalimin e kohës, për shembull gjatë stuhive të mëdha të erës”, ka thënë ai.

Para këtij projekti artistik, hapi përfundimtar për trajtimin e drunjve ishte mbulimi i pjesës së dëmtuar me ngjyrë të bardhë që i reziston ujit.

Pikturat janë shtresë mbrojtëse shtesë për drunjtë e dëmtuar.

Që nga fillimi i projektit, rreth 200 piktura janë punuar në 13 parqe të ndryshme.

Motivet janë kryesisht nga natyra dhe bota e kafshëve, porse ka edhe rikrijime të Van Goghut, Degasit dhe Matisses.