Kuriozitet

Një burrë mendon se i ka mbetur ujë në vesh por zbulon se i lëvizte një insekt

Kur 40-vjeçari Zane Wedding shkoi për të notuar javën e kaluar, ai u largua me më shumë sesa kishte pasur – një lloj buburreci që njihet si kacabu, i cili u fut brenda veshit të tij të majtë dhe qëndroi atje për tre ditë.

Wedding ishte zhytur në pishinën e tij lokale në Auckland, Zelanda e Re, kur, pa e ditur ai, krijesa i ishte futur brenda veshit.

Kur u kthye në shtëpi, kishte ndjesinë se i ishte bllokuar veshi.

"Unë përdora disa pika për ta pastruar atë dhe më zuri gjumi në divan më vonë atë natë", i tha ai CNN-it.

"Kur u zgjova në mëngjes dhe ishte ende e bllokuar, shkova direkt te mjeku. Po prisja që klinika të hapej, ishte kaq indinjuese", tha ai.

Fillimisht, mjeku mendoi se mund të kishte pasur ujë të bllokuar, ndaj e këshilloi të shkonte në shtëpi dhe të përdorte një tharëse flokësh për ta tharë atë.

Por Wedding e dinte se diçka nuk shkonte mirë.

"E lashë doktorin pa asnjë lehtësim. Pjesën më të madhe të fundjavës e kalova duke u shtrirë në krah ose duke bllokuar një tharëse flokësh në vesh. Kur më duhej të ecja përreth, më merreshin mendtë. Kur shtrihesha, dëgjoja ujin që lëvizte rreth daulles së veshit tim”, tha ai.

"Gjatë fundjavës provova gjithçka që munda për lehtësim - qirinj veshësh, kërcim në njërën këmbë, çamçakëz, shkova për vrap - gjithçka që mund të mendoja për të pastruar veshin".

Të dielën mbrëma, përpëlitja u ndal papritur, por veshi ishte ende i bllokuar, kështu që Wedding rezervoi takim për të parë një specialist të veshit, hundës dhe fytit.

Sapo doktoresha i shikoi brenda veshit, sipas Wedding, ajo i tha: “O zot, mendoj se ke një insekt në vesh”.

"Në atë moment kuptova se çdo lëvizje që kisha ndjerë gjatë fundjavës ishte një kacabu që lëvizte në veshin tim. Në çast mendova faktin se sapo kisha pompuar ajër të nxehtë në kokën time dhe po gatuaja një kacabu në kanalin tim të veshit gjatë gjithë fundjavës. Më bëri të ndihem i sëmurë", tha ai.

Mjeku e nxori kacabunë e ngordhur në një procedurë që zgjati më pak se pesë minuta.

"Sapo e kuptova se ishte një insekt, të gjitha u kuptuan... Kjo është arsyeja pse uji lëvizte edhe kur isha i qetë. Ishte një kacabu që lëvizte në kokën time".