Mbi 35 lopë ikën pasi një kamion transportues u aksidentua në autostradën e Karolinës së Jugut.
Upi ka shkruar se kamioni doli nga rruga dhe u përmbys diku në qoshe, e nga përplasja dera e kamionit u hap dhe lopët nisën të dilnin.
Një pjesë e kamionit morë flakë, e shoferi ia doli të largohej suksesshëm, por lopët ikën dhe u turrën drejt lagjeve.
Autoritetet policore dolën në vendin e ngjarjes dhe bllokuan për 10 orë autostradën, ndërsa më pas u vunë në kërkim të lopëve.
Ende s’janë kapur të gjitha.
SHBA-ja shqyrton lirimin masiv të emigrantëve të ndaluar
Një zyrtar i lartë i emigracionit në SHBA ka thënë se autoritetet po planifikojnë të lirojnë mijëra emigrantë nga paraburgimi në mes të një shtrëngimi të rëndë buxhetor.
Zyrtari nga Emigracioni dhe Zbatimi i Doganave të SHBA-së (ICE) ka thënë se midis 4,000 dhe 6,000 emigrantë mund të lirohen, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Një projekt-ligj kufitar dypartiak që do të kishte financuar ndalimet e imigracionit ka rënë poshtë javën e kaluar.
ICE-ja aktualisht po mban afërsisht 38,000 migrantë në objektet e paraburgimit afatgjatë.
Projektligji dypartiak i kufirit që u lëkund për shkak të kundërshtimit republikan javën e kaluar do të kishte caktuar 7.6 miliardë dollarë për ICE, duke përfshirë një shtesë prej 3.2 miliardë dollarësh për kapacitetin e paraburgimit që do të kishte rritur aftësinë e agjencisë për të strehuar të burgosurit me disa mijëra shtretër.
Më shumë se 6.3 milionë emigrantë kanë hyrë ilegalisht në SHBA që nga viti 2021.
Gjoba prej 34 mijë eurosh ndaj FFK-së, dënohet edhe Bajram Shala
Federatës së Futbollit të Kosovës i kanë kushtuar me 10 mijë euro fishkëllimat gjatë intonimit të himnit të Izraelit në ndeshjen Kosova – Izraeli, të zhvilluar më 12 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Ndeshja ishte e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian, që mbahet gjatë verës në Gjermani. Kosova kishte fituar 1:0, ndërsa kishte fishkëllima para ndeshjes, kur u intonua himni i Izraelit.
Vendimin për ta gjobitur FFK-në e mori Komisioni i UEFA-s për kontroll, etikë dhe disiplinë, më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Por vendimi nuk është bërë publik nga FFK-ja.
Nuk është dënimi i vetëm ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës që nuk është bërë publik nga kjo organizatë.
FFK-ja ishte gjobitur me 10 mijë euro nga Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s edhe për futjen në fushë të shikuesve të Kosovës në ndeshjen ndaj Zvicrës në Bazel, më 18 nëntor. FFK-së i ishte dhënë vërejtje “për numrin e pamjaftueshëm të personave udhëtues për siguri” në atë ndeshje.
Për vendimet e 12 nëntorit lidhur me ndeshjen në Zvicër, FFK-ja kishte bërë ankesë të cilën trupi i Apelit i UEFA-s e aprovoi. Vendimi i trupit të Apelit u publikua në faqen e UEFA-s më 5 shkurt.
“Pranohet ankesa e Federatës së Futbollit të Kosovës. Si rrjedhojë, vendimi i Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s i 12 dhjetorit 2023 ndryshohet si në vijim: Të paralajmërohet Federata e Futbollit e Kosovës për dështim të përmbushjes së numrit të caktuar të sigurimit që ka udhëtuar me përfaqësuesen; Të mbyllen procedurat disiplinore të hapura kundër Federatës së Futbollit të Kosovës për futjen e pretenduar në fushë”, shkruan në vendim të Apelit.
Por në fuqi mbesin dënime të tjera që ka marrë FFK-ja. FFK-ja ishte gjobitur edhe për ndeshjen Kosova – Bjellorusia, e zhvilluar më 21 nëntor në Prishtinë. FFK-ja u dënua me 17 mijë euro.
Me 7 mijë euro u dënua për sjellje të pahijshme të ekipit (kombinim i gjashtë dhe më shumë zyrtarëve të përfaqësueses), kurse për futje të shikuesve në fushë dënimi ishte 10 mijë euro.
“Për fyerje ndaj zyrtarit të ndeshjes, Sahit Salihu është suspenduar me dy ndeshje. Për sjellje josportive, Bajram Shala është suspenduar me një ndeshje”, shkruan në tjetër vendim të 12 dhjetorit të Komisionit për Kontroll, Etikë dhe Disiplinë të UEFA-s.
Shala është menaxher i përfaqësueses së Kosovës, ndërsa Salihu është pjesë e stafit të përfaqësueses.
FFK-ja po ashtu ishte dënuar me 7.500 euro për sjellje të pahijshme të lojtarëve dhe zyrtarëve në ndeshjen që Kosova U21 e zhvilloi ndaj Izraelit U21, më 21 nëntor në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ndeshjen e pati fituar Kosova me rezultatin 3:1. Ndeshja Kosova U21 – Izraeli U21 u takoi kualifikimeve për “Euro 2025”.
KOHA të mërkurën i është drejtuar me pyetje Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Por nuk ka marrë përgjigje për dënimet nga UEFA, e që nuk janë bërë publike.