Një letër e shkruar nga një pasagjer i Titanikut disa ditë para se anija të fundosej është shitur për një rekord prej 400,000 dollarë në ankand në Britani të Madhe.
Letra e kolonelit Archibald Gracie u ble nga një blerës anonim në shtëpinë e ankandit “Henry Aldridge and Son” në Wiltshire të dielën, me një çmim pesë herë më të lartë se 60,000 dollarëshi i parashikuar si çmim.
Në letër Gracie i thotë një të afërmi se “po e pret fundin e udhëtimit”.
Letra ishte e datës 10 prill 1912, ditën kur ai hipi në Titanik në Southampton, dhe pesë ditë para se ajo të fundosej pasi goditi një ajsberg në Atlantikun e Veriut.
Gracie ishte një nga rreth 2200 pasagjerët dhe ekuipazhi në bordin e Titanikut që lundronte për në New York. Më shumë se 1500 vdiqën në katastrofë.
Pasagjeri i klasit të parë, shkroi letrën nga kabina C51. Ajo u nis kur anija u ankorua në Queenstown, Irlandë, më 11 prill 1912. Ajo u vulos gjithashtu në Londër më 12 prill.
Drejtuesi i ankandit që lehtësoi shitjen tha se letra kishte tërhequr çmimin më të lartë se çdo korrespondencë tjetër e shkruar në Titanik.
Rrëfimi i Graciet për fundosjen është ndër më të famshmit. Ai madje ka shkruar librin “E vërteta rreth Titanikut”, duke rrëfyer përvojën e tij të mbijetesës duke u ngjitur në një varkë shpëtimi. Më shumë se gjysma e njerëzve që kishin arritur varkën kishin vdekur nga lodhja ose të ftohtit, ka shkruar ai.
Edhe pse i mbijetoi katastrofës, ai u përball me hipotermi. Ra në komë më 2 dhjetor 1912 dhe vdiq dy ditë më vonë.