Kuriozitet

“Lego” zotohet t’i eliminojë stereotipat gjinorë në lodra

Studiuesit kanë zbuluar se teksa vajzat po bëheshin më të sigurta dhe më të prira për t’u përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh, e njëjta gjë nuk ndodhte edhe mes djemve, ka raportuar “Guardian”

Gjiganti i lodrave “Lego” ka njoftuar se do të angazhohet në eliminimin e stereotipave gjinorë nga lodrat, pasi që një studimi global që ka porositur kompania ka zbuluar se pozicionimet për lojë dhe karrierat e ardhshme mbeten të pabarabarta dhe kufizuese.

Studiuesit kanë zbuluar se teksa vajzat po bëheshin më të sigurta dhe më të prira për t’u përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh, e njëjta gjë nuk ndodhte edhe mes djemve, ka raportuar “Guardian”.

Shtatëdhjetë e një për qind e djemve të anketuar kishin frikë se do të përballeshin me tallje po qe se do të luanin me ato që ata e përshkruanin si “lodra për vajza” - një frikë kjo të cilën e kanë ndarë njëherësh edhe prindërit e tyre.

“Prindërit janë më të shqetësuar se djemtë do të ngacmohen më shumë sesa vajzat e tyre po qe se do të luanin me lodra që ndërlidhen me gjininë tjetër”, ka thënë për “Guardian” Madeline di Nonno, shefi ekzekutiv i Institutit Geena Davis për Gjininë në Media, i cili e ka bërë hulumtimin. “Por njashtu sjelljet e lidhura me burrat vlerësohen më shumë në shoqëri”, ka thënë Di Nonno. “Derisa shoqëritë të pranojnë se sjelljet dhe aktivitetet që zakonisht lidhen me gratë janë po aq të vlefshme ose të rëndësishme, prindërit dhe fëmijët do të jenë të gatshëm t’i pranojnë ato”.

Studimi ka zbuluar se prindërit i inkurajonin djemtë që të merren me aktivitete sportive apo me shkenca ekzakte, kurse vajzave u ofroheshin vallëzimi dhe rrobat (vajzat kishin gjasa që pesë herë më shumë të inkurajoheshin për këto aktivitete sesa djemtë) apo gatimi (tri herë më shumë).

“Këto rezultatet tregojnë sesa të rrënjosura janë stereotipa gjinorë në tërë globin”, ka thënë profesoresha Gina Rippon, neurobiologe dhe autore e “The Gendered Brain”. “I inkurajojmë vajzat që të luajnë me lodra të djemve, por jo edhe anasjelltas”, ka theksuar ajo për gazetën britanike.

Ky ishte problem pasi lodrat ofruan “mundësi trajnuese”, ka thënë ajo. “Kështu që nëse vajzat nuk po luajnë me Lego ose lodra të tjera ndërtuese, nuk janë duke zhvilluar aftësi hapësinore që mund t’ju ndihmojnë më vonë në jetë. Nëse kukullat po u imponohen vajzave e jo djemve, atëherë djemve po u ikin aftësitë ndihmuese”.

Prodhuesi danez i lodrave ka porositur raportin për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave. Ai anketoi pothuajse 7 mijë prindër dhe fëmijë të moshës gjashtë deri në 14-vjeçare nga Kina, Republika Çeke, Japonia, Polonia, Rusia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Po punojmë shumë për ta bërë ‘Legon’ më gjithëpërfshirës”, ka thënë Julia Goldin, shefe e produktit dhe marketingut në “Lego Group”, prodhuesi më i madh i lodrave në botë.

Që nga fillimi i vitit 2021, Instituti Geena Davis ka qenë duke e kontrolluar “Legon” dhe duke u konsultuar “për të adresuar paragjykimet gjinore dhe stereotipat e dëmshëm”, më pas kompania ka premtuar t’i heqë paragjykimet gjinore nga produktet e saj.

“Zakonisht lodrat lego janë kërkuar më shumë nga djemtë, por produktet si linjat e artit dhe artizanatet ‘Lego Dots’ ose ‘Lego City Wildlife Rescue Camp’ janë krijuar posaçërisht për t’i tërhequr djemtë dhe vajzat”, ka thënë Goldin për Guardian.

Tani “Lego” detyrohet që të promovojë edukimin dhe përkujdesjen, si dhe vetëdijen hapësinore, arsyetimin krijues dhe zgjidhjen e problemeve.

Fushata “Let Toys Be Toys” kishte filluar në vitin 2012 në Mbretërinë e Bashkuar për t’u bërë presion markave të fëmijëve për ta zgjeruar marketingun dhe për t’i përfshirë të dyja gjinitë, në mënyrë që asnjë djalë apo vajzë të mos mendojë se po luan me “lodrën e gabuar”. Por përparimi është i ngadalshëm, shkruan gazeta.

Një raport i vitit 2020 nga “Fawcett Society” ka treguar se si “stereotipizimi dembel” dhe ndarja e lodrave sipas gjinisë po nxiste krizë të shëndetit mendor te të rinjtë, duke i kufizuar zgjedhjet e perceptuara të karrierës. Kjo po përqafohet edhe nga prindërit.

Instituti Geena Davis zbuloi se prindërit e fëmijëve të dy gjinive që i vlerësuan burrat si “më kreativë” kishin gjashtë herë më shumë gjasa të mendonin se shkencëtarët dhe atletët ishin burra sesa që ishin gra, dhe më shumë se tetë herë të mendonin që inxhinierët ishin burra. Goldin ka thënë se kompania “Lego” nuk i etiketonte më asnjë nga produktet e saj “për vajza” ose “për djem”.

Në “Lego.com”, shkruan Guardian, konsumatorët nuk mund të kërkojnë produkte sipas gjinisë. Në vend të kësaj, faqja e internetit ofron mundësi që i quan “pika pasioni”.

“Po testojmë gjithçka te djemtë e vajzat dhe duke përfshirë më shumë modeliste femra”, ka thënë Goldin.

Përktheu: Liridona Bytyçi