Kuriozitet

Krapi me fytyrë njeriu

Një peshk i pazakonshëm është vënë re në një liqen në Kinë, raportojnë mediat. Për shkak të formës së pazakontë të kokës së krapit, duket se peshku ka pamjen e fytyrës së njeriut, transmeton Koha.net.

Një vizitor i një fshati në rrethinë të qytetit Kunming në jug të Kinës, ku është vënë re peshku e ka xhiruar “krapin” me fytyrë njeriu, ndërsa videoja ka bërë xhiron në rrjetin social kinez Weibo.

Në videoregjistrimin, që shkaktoi shumë komente, shihet se si peshku noton deri në breg të liqenit dhe tund kokën nëpër sipërfaqen e ujit.

Një tjetër krap, koka e të cilit rikujtonte fytyrën e njeriut ishte njoftuar në vitin 2010. Atëherë, britaniku Brenan O’Salivan, pohonte se kishte “blerë një krap normal”, i cili më vonë kishte nisur të “merrte tipare si të fytyrës së njeriut”, shkruan mediumi britanik “Mirror”, transmeton Koha.net.

“Ishte e habitshme. Me lehtësi shquaja dy sy, hundën dhe gojën. Fillimisht mendova se mos më ka rënë dielli në kokë dhe se gjithçka po më bëhet sikur”, ishte shprehur Brenan, krapin e çuditshëm të të cilit e kishin vlerësuar me 40 mijë sterlina.

Nuk dihet nëse e kishte shitur apo jo.