Kuriozitet

Komuna s’ia lejon emrin e qytetit të lindjes bebes kosovare në Gjermani

Babai Flamuri (33 vjeç) dhe nëna Albina (22 vjeçe), javën që lamë pas iu gëzuan ardhjes në jetë të vajzës së tyre të cilën e pagëzuan me emrin Krefelda, në bazë të qytetit të lindjes, Krefeld, në Gjermani.

Flamur Konxheli, në një prononcim për “Bild” javën e kaluar, pati thënë se e kanë menduar gjerë e gjatë emrin e saj.

“Rreth dy javë para se të lindte kemi vendosur që ta pagëzojmë vajzën tonë Krefelda”, ka sqaruar Flamuri, duke thënë se me këtë vepër dëshirojnë të falënderojnë qytetin e Krefeldit për gjithçka që kanë bërë për ta.

Por, ky gëzim nuk zgjati shumë për çiftin kosovarë, të cilët në gjermani kanë shkuar dy vjet më parë, pasi sot autoritetet e qytetit Krefeld kanë njoftuar se një emër i tillë nuk lejohet, bazuar në të drejtën e emrit.

Për këtë arsye, zyra civile e qytetit ka hedhur poshtë këtë vendim të çiftit të ri, transmeton Koha.net.

E pas këtij refuzimi, prindërit janë pajtuar me emrin e ri, Elda, për foshnjën e tyre.

Elda është lindur në klinikën Helios në Krefeld. Në momentin e lindjes, ajo ka peshuar 4630 gramë dhe ka qenë e gjatë 53 centimetra.