Kuriozitet

Ishulli italian në hall me dhitë e egra, i ofron për adoptim

dhija

Foto: Getty Images

Kryetari i një ishulli italian të pushtuar nga dhitë e egra ka ofruar t’ia japë kafshët kujtdo që dëshiron ta marrë një.

Riccardo Gullo erdhi me idenë pasi një regjistrim i fundit vlerësoi se numri i dhive në ishullin Alicudi ishte gjashtëfish më i madh se popullsia e tij prej 100 banorësh.

Dhitë e egra ishin atraksion turistik.

Por, numri i tyre është rritur aq shpejt në vitet e fundit sa filluan të largoheshin nga vendbanimi i tyre i zakonshëm majë ishullit drejt zonave banuese, duke dëmtuar mjediset e gjelbra, duke shkaktuar kërdi nëpër kopshte e duke shkaktuar dëme në prona. Ato madje filluan të endeshin nëpër shtëpitë e njerëzve, duke nxitur kërkesat për zgjidhje.

Iniciativa “birëso një dhi” u duk si mënyra më e mirë për ta menaxhuar situatën, raportoi Guardian.

“Sigurisht se nuk duam as ta marrim në konsideratë asgjësimin e kafshëve, kështu që po inkurajojmë idenë që t’i japim ato. Kushdo mund ta bëjë një kërkesë, nuk ka nevojë të jetë fermer, dhe nuk ka kufizim të numrit”, ka thënë Gullo.

Dhitë e para u dërguan në Alicudi 20 vjet më parë, besohet se dikush kishte qëllim t’i shumonte. Por, plani dështoi dhe dhitë u lanë të bridhnin të vetme.