Një hajdut në Florida i ka përbirë një palë vathë në vlerë mbi gjysmë milioni dollarë disa minuta para se policia ta arrestonte.
Policia ka thënë se 32-vjeçari gënjeu punëtorët e “Tiffany & Co.” se përfaqësonte një atlet profesionist, gjë që bëri që punëtorët t’i tregonin disa prej stolive më me vlerë.
Më pas, i dyshuari i vodhi vathët dhe iku nga dyqani, shkroi BBC.
Kur policët e kapën një ditë më pas, hajduti u pa duke i gëlltitur vathët e vjedhur.
Vlera e vathëve vlerësohet të jetë 769,500 dollarë. Ai mori edhe një unazë diamanti, por i ra kur po ikte nga dyqani.
Policia më vonë lëshoi një pamje radiografike të stomakut të tij dhe aty u pa edhe një objekt i huaj. Nuk dihet ende nëse i janë hequr vathët nga stomaku.