Kuriozitet

Gati 200 vjet pas vdekjes së Hegelit, u gjetën regjistrime të mësimeve të tij

Biografi Klaus Vieweg duke hulumtuar filozofin gjerman Hegel ka zbuluar një gamë të madhe mësimesh të padokumentuara më parë që mund të ndryshojnë perceptimet e një prej figurave kryesore të filozofisë moderne perëndimore.

Më shumë se 4000 faqe me shënime leksionesh nga Georg Wilhelm Friedrich Hegel u gjetën nga Klaus Viewegu në bibliotekën e Kryedioqezës së Mynihut dhe Freisingut.

“Zbulimi i këtyre dorëshkrimeve mund të krahasohet me gjetjen e muzikës së re të Beethovenit ose me një pikturë të paparë kurrë më parë të Constable”, ka thënë Vieweg, një profesor në Universitetin Friedrich Schiller në Jena, Gjermani.

Ai ka thënë se leximi i këtyre shënimeve i dha një kuptim të ri se si Hegeli formoi idetë e tij ndikuese rreth estetikës, filozofisë rreth bukurisë dhe artit, dhe se si ai analizoi veprat e Shekspirit për të ndihmuar në zhvillimin e ideve të tij.

Transkriptet besohet se janë shkruar nga Friedrich Wilhelm Carove, një nga studentët e parë në Universitetin e Heidelbergut të mësuar nga Hegeli gjatë qëndrimit të filozofit atje midis viteve 1816 dhe 1818.

Idetë dhe veprat e Hegelit njihen për peshën e tyre të madhe. Filozofi britanik Bertrand Russell e përshkroi atë si "më të vështirë për t'u kuptuar nga filozofët e mëdhenj".

Vieweg shpreson se zbulimi i ri mund të sjellë pak qartësi.

Një ekip ekspertësh ndërkombëtarë, i udhëhequr nga Viewegu dhe Christian Illies, profesor i filozofisë në Universitetin e Bambergut, tani do t'i përpilojnë punimet në një botim.

"Pjesët kryesore të veprës së Hegelit njihen vetëm përmes leksioneve të tij, kështu që studiuesit janë përpjekur të gjejnë transkripta për një kohë të gjatë", ka thënë Illies. "Disa u gjetën dhe u botuan në shekujt 19 dhe 20, por me kalimin e viteve zbulimi i materialit të ri është bërë gjithnjë e më pak i mundshëm”, shtoi ai, raporton The Guardian .

Georg Wilhelm Friedrich Hegel lindi në Frankfurt më 1770 dhe vdiq në Berlin më 1831. Ai është një nga figurat qendrore të idealizmit gjerman.