Kuriozitet

BE-së i dështon ndeja digjitale që i kushtoi gati 400 mijë euro

Një ndejë online e zhvilluar në formë digjitale nga Bashkimi Evropian është cilësuar si dështim, pasi për pjesëmarrje u paraqitën vetëm gjashtë persona.

Departamenti për ndihmë i Komisionit Evropian shpenzoi 387 mijë euro në zhvillimin dhe promovimin e hapësirës online, që kishte për qëllim t’i njoftonte të rinjtë për planin e investimeve të BE-së “Global Gateway”.

“Metaverse” është hapësirë digjitale në të cilën bota paraqitet virtualisht nëpërmjet pajisjeve të realitetit virtual dhe atij të shtuar.

Kampanja qe lansuar nëpërmjet një videoje promocionale në muajin tetor.

“Hapësira e përbashkët digjitale që kemi është vend i përsosur për të kuptuar dhe reflektuar mbi çështjet globale për të bërë dallimin për të ardhmen tonë të përbashkët”, thuhej në thirrjet e BE-së.

Një zëdhënës për ngjarjen, ka thënë për “Devex” se ngjarja kishte për cak grupmoshën 18-35 vjeç që “e identifikon veten si neutrale për Bashkimin Evropian dhe nuk ka ndërlidhje me çështjet politike”.

Kampanja ka pasur për qëllim “ta nxisë audiencën, kryesisht në TikTok dhe Instagram, dhe t’i kërkojë angazhim me substancën më të gjerë të kampanjës, që do të rriste vetëdijen se çfarë bën Bashkimi Evropian në skenën botërore, në mesin e një audience që zakonisht nuk i ekspozohet një informate të tillë”.

Përdoruesit në këtë ndejë digjitale mund të navigonin në një ishull tropikal në të cilin shfaqeshin video të ndryshme të Bashkimit Evropian. Po ashtu në të ka pasur një ndejë në plazh për të vallëzuar.