Policia në aeroportin e Romës të dielën ka ndaluar pronarin e një shitoreje duhanit në Napoli që të ikë me biletën fituese të lotarisë të cilën ia kishte vjedhur një konsumatori, raporton agjencia AP.
Ai po planifikonte të hipte në aeroplanin e të largohej për në Ishujt Kanarinë.
I arrestuari nuk kishte tiketën fituese me vlerë 500 mijë euro me vete, por kishte një biletë për në Fuerteventura, në Ishujt Kanarinë në Spanjë, njofton “LaPresse”.
I dyshuari, i cili nuk është identifikuar, po kërkohej me dyshim për vjedhje. Raportohet se ai ia kishte marrë tiketën fituese një konsumatori të premten dhe kishte ikur me skuter. Konsumatori kishte pyetur në shitore në Napoli për të verifikuar nëse tiketa ishte fituese.
Një grua e moshuar kishte blerë dy tiketa “gërvisht e fito”. Ajo e pyeti një punëtor në shitore për të verifikuar nëse ka fituar. Punëtori më pas ia dha tiketën pronarit të shitores për kontroll të fundit. Por, pronari mori tiketën dhe iku me skuter nëpër Napoli.
Për të ndaluar personat që të mos marrin paratë në mënyrë ilegale, autoritetet tatimore të Italisë, që drejtojnë operacionin “gërvisht e fito”, kanë bllokuar gjithë serinë e tiketave që ishte caktuar për shitoren e duhanit.
Hetuesit ende janë në kërkim të tiketës.