Një veteran 82-vjeçar amerikan dhe arkëtar i “Walmart” më në fund është në gjendje të pensionohet pas një akti të vullnetit të mirë.
Warren Marion, nga Cumberland, Maryland, mori një çek për 108,682 dollarësh javën e kaluar falë bujarisë së donatorëve në internet.
Një “GoFundMe” ishte krijuar për Marion nga Rory McCarty, një pronar biznesi i vogël me shumë ndjekës në TikTok. Një video që ai postoi për të dy në dhjetor është parë mbi tre milionë herë.
McCarty donte të ndihmonte Marion, një veteran i marinës amerikane dhe i ve, për të "bërë gjërat që do të donte t'i bënte", tha ai në postimin e tij në GoFundMe që nisi fushatën muajin e kaluar.
Ai tha se ndjehej i frymëzuar të ndihmonte veteranin e moshuar duke përdorur platformën e tij të mediave sociale për shkak të një historie të ngjashme suksesi që pa në TikTok.
"Si pronar biznesi u habita kur pashë këtë burrë të moshuar ende duke punuar. Duke punuar me ndërrime tetë deri në nëntë orë”, ka thënë McCarty në faqen GoFundMe.
Fushata ishte një sukses. McCarty e përmbushi qëllimin e tij për mbledhjen e fondeve brenda disa ditësh dhe njerëzit vazhdojnë të kontribuojnë.
Javën e kaluar Marion pati ditën e tij të fundit në punë pasi dha njoftimin e tij dy javë më parë.