Një shtetas kosovar ka paguar një pano reklamuese në Sllatinë, me të cilën i ka uruar shërim të shpejtë presidentit amerikan, në kohën kur ai po përballet me koronavirusin.
Naim Murseli, këshilltari i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka përzgjedhur billboardin afër Aeroportit për t’i uruar shëndet presidentit amerikan Donald Trump.
Ai ka paguar për vendosjen e një billboardi afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
“Shërim të shpejtë, President! Të kemi në mendje”, shkruhet në billboardin ku është vënë portreti i Trumpit e në prapavijë janë flamujt e Kosovës dhe SHBA-së.
Përmes një postimi në Twitter, Murseli ka shkruar se “ka shfrytëzuar kursimet për të paguar billboardin më të madh dhe më të shtrenjtë, për të nderuar Trumpin dhe popullin amerikan”.
Publikimin e Murselit e ka shpërndarë në Twitter edhe i dërguari i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.