Tensionet në veri vazhdojnë të rriten në prag të zgjedhjeve lokale në katër komuna. Pas djegies së pesë veturave me targa RKS, në orët e mëngjesit të së dielës, Policia e Kosovës është sulmuar me shokë bombë në Mitrovicë të Veriut. Zyrtarë të Listës Serbe e të Qeverisë së Serbisë, në një konferencë të dielën në Beograd, nuk folën për sulmin e djegiet e pronave të qytetarëve, ndërkohë që arrestimin e të dyshuarit për këto vepra e quajtën provokim të Qeverisë Kurti
Pak orë pas arrestimit të një qytetari serb në veri të vendit, i dyshuar për djegien e disa veturave me targa të Kosovës si dhe për sulm ndaj organeve të rendit, Policia e Kosovës është sulmuar me një mjet shpërthyes.
Sipas njoftimit të Policisë, sulmi ndodhi në orët e para të së dielës, në rrugën “Ivo Llolla Ribar” në Mitrovicë të Veriut.
“Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se mjeti i dyshuar shpërthyes i hedhur në drejtim të zyrtarëve policorë është - shok bombë. Njësitet kompetente policore dhe krim teknika kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat e nevojshme të vend shikimit. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe hetimet intensive për zbardhjen e këtij rasti janë në proces”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Vetëm në fundjavë, është raportuar djegia e pesë veturave me pronarë serbë, e që i kishin riregjistruar ato në targa RKS. Të premten u raportuan dy djegie e të shtunën tri.
Ambasadat në Prishtinë dhe Bashkimi Evropian i dënuan këto incidente dhe i vlerësuan si frikësim të popullatës.
E kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të dielën, mbajtën konferencë për media në Beograd. Ata nuk folën për djegiet e veturave, ndërkohë arrestimin e të dyshuarit Milan Bozhoviq e quajtën provokim të kryeministrit Albin Kurti.
“Është e qartë se Kurti po kërkon një mënyrë për të shkaktuar incidente që do të shkaktonin një reagim të ekzagjeruar të serbëve, e ai të shmanget nga obligimet e tij”, ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Kryetari i Listës Serbe, Rakiq, ka paralajmëruar protesta të serbëve nëse nuk lirohet Bozhoviq, i arrestuar të shtunën.
Këto qëndrime të Petkoviqit e Rakiqit, Blerim Vela, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, i quajti kërcënime.
“Kreu formal i Listës Serbe, Goran Rakiqi, përkrah Petkoviqit, kërcënon me ‘rezistencë dhe kryengritje’ në Kosovë. Megjithatë, asnjë fjalë dënimi nga Petkoviqi për djegien e veturave të serbëve vendas! Serbia dhe LS-ja kërcënojnë me dhunë. Ata do të jenë përgjegjës për çdo përshkallëzim në terren”, ka thënë Vela.
Institucionet e Kosovës, sulmet e fundit në veri i kanë vlerësuar si frikësim ndaj qytetarëve serbë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, në të cilat nuk do të marrë pjesë Lista Serbe.