LAJMET E MBRËMJES

Zyrapi thotë se komandantët e njësisë operative “Shigjeta” i emëroi vetë e ia aprovoi Shtabi i Përgjithshëm

Dëshmitari Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka deklaruar se ai i ka emëruar komandantët për operacionin “Shigjeta”, që kishte për qëllim çeljen e korridoreve nga Pashtriku në drejtim të Shqipërisë, në mënyrë që të mundësohej armatosja e UÇK-së.

Zyrapi tha, po ashtu, se emërimet e tij në këtë rast i aprovoi Shtabi i Përgjithshëm.

“Ishin tri komanda operative të ‘Shigjetës’, sa prej komandantëve të këtyre tri komandave operative i keni emëruar ju?”, ka deklaruar Luka Mishetiq, avokat i Hashim Thaçit.

“Me këto komandat operative, faktikisht emërimet nuk i kam marrë veç unë, por i ka marrë edhe Shtabi si Shtab. Komandantët për shembull edhe të ‘Ndërtimit 1’ edhe të ‘Ndërtimit 2’ janë marrë me propozimin tim dhe është aprovuar nga Shtabi i Përgjithshëm. Normalisht janë emëruar ata. Emërimi i tyre është bërë në suaza të propozimit tim dhe të komandantit të përgjithshëm”, ka shtuar Zyrapi.

Përveç pyetjeve të avokatit të Hashim Thaçit, ai u është përgjigjur edhe pyetjeve të avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson.

U shpreh se zbulimi e kundërzbulimi u shtri te komandat më të ulëta dhe atë pas nëntorit 1998 kur u riorganizua UÇK-ja.

“Kjo është e periudhës qershor-korrik, në atë periudhë nuk ka pasur zona apo njësi me eprorë të emëruar të cilët e kanë kryer veprimin e shërbimit të kundërzbulimit. Ato tek kur janë formuar brigadat, atëherë kanë filluar të formohen këto resore e me këtë janë vendosur edhe njerëzit që do të merren me këto çështje... Kjo domethënë shumë më vonë sesa kjo periudhë që unë e shpjegoj.  Faktikisht në atë kohë nuk ka pasur njerëz të tillë si sistem të organizuar brenda sistemit të njësive apo komandave. Ndoshta ka kryer dikush detyra të tilla aty, por nuk ka qenë si strukturë që unë e kam gjetur në atë kohë”, ka theksuar tutje Zyrapi.

Zyrapi tha se Kadri Veseli ishte në Shtab të Përgjithshëm edhe para nëntorit, mirëpo nuk e dinte se me çka merrej ai para kësaj kohe.

E në këtë kohë tha se ai e mori detyrën e kreut të ZKZ-së, për çka tha se vetë e kishte urdhëruar paraprakisht të merrte trajnim prej Shërbimit Informativ të Shqipërisë, meqë nuk kishte as përvojë me ushtri e as me inteligjencë.

Veseli, sipas dëshmitarit ishte bashkë me të në procesin e marrëveshjes me FARK-un që ishte formacion ushtarak nën Ministrinë e Mbrojtjes që udhëhiqej prej Qeverisë në ekzil të LDK-së.

Zyrapi deklaroi se gjatë kohës së pasluftës kishte marrë kërcënime, por që nuk e dinte se kush i bënte ato.

Madje, ai për Zyrën e Prokurorit të Specializuar kishte thënë se mendonte që ato kishin të bënin me faktin se kishte qenë ish-oficer në Armatën jugosllave.