LAJMET E MBRËMJES

Zyrapi: Drejtoria Politike e udhëhequr nga Thaçi nuk merrej me çështje ushtarake

Në ditën e katërt të dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Bislim Zyrapi tha se në fund të vitit 1998 u krijua Drejtoria Politike, të cilën e udhëhiqte Hashim Thaçi. Sipas tij, kjo trupë nuk përfshihej në çështje ushtarake e as në ato gjyqësore

Drejtoria Politike e UÇK-së, të cilën e udhëhiqte Hashim Thaçi, nuk merrej me çështje ushtarake, ka thënë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, në ditën e katërt të dëshmisë në Hagë.

Të enjten ai është marrë në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.

Sipas Zyrapit, Thaçi nuk merrej me çështje ushtarake.

“Pjesa politike është ndarë që të veprojë në aspekte ndërkombëtare, si dhe me vëzhguesit që ishin brenda në Kosovë – do të merrej kjo drejtori dhe ky grup i pjesës politike. Ndërsa çështjet ushtarake ishin çështje ushtarake”, ka thënë Zyrapi.

“Grupi politik nuk përfshihej në çështje ushtarake, a është kështu?”, ka pyetur Mishetiq.

“Po, ashtu është”, është përgjigjur dëshmitari.

Zyrapi që dëshmoi për të katërtën ditë me radhë, në rastin ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka thënë se krijimi i Drejtorisë Politike u bë në fund të vitit 1998, kur ishte arritur një marrëveshje për armëpushim. Në këtë periudhë, sipas tij, u mor nisma edhe për formimin e Gjykatës Ushtarake, të cilën e udhëhoqi Sokol Dobruna. 

Sipas Zyrapit, Thaçi nuk kishte rol mbikëqyrës as mbi Gjykatën.

“Ristrukturimi ka qenë që të bëhet funksionale dhe e plotë, mirëpo ato me mundësitë dhe kushtet që janë ofruar në atë kohë. Do të thotë që synimi ka qenë që të bëhet e plotë, por asnjëherë nuk ia kemi arritur. Prej fillimit kur kemi filluar t’i formojmë këto njësi, deri në fund të luftës s’kemi mundur t’i bëjmë të plota”, është shprehur Zyrapi.

Po ashtu, ai shprehu skepticizëm sa i përket numrit të spiunëve në UÇK, kur iu prezantua e dhëna se ishin 200. Tha se me një numër kaq të madh nuk do të ishte as ai gjallë.

Dëshmitari u pyet edhe lidhur me zhvillimet e shkurtit të 1999-s, kur komandantët e zonave thirrën në takim Zyrapin, Rexhep Selimin dhe Fatmir Limajn dhe votuan për ndërrimin e komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, duke e larguar Azem Sylën dhe duke e emëruar në vend të tij Sylejman Selimin, gjersa një pjesë e Shtabit ishte duke e përfaqësuar vendin në Konferencën e Rambujesë.

“Ka vetëm dy opsione këtu se çfarë po ndodh, dhe nëse ka një të tretë ju lutem ma thoni se cili është, nëse ekziston. Ose nga njëra anë ju po merrni pjesë në këtë takim ku ka diskutim për zëvendësimin e shefit tuaj në teori, sepse ju e dini që në këtë takim janë komandantët e zonave që kanë pushtetin e vërtetë në UÇK dhe kanë kompetencën apo pushtetin për ta bërë këtë gjë, ose opsioni i dytë që ju po merrnit pjesë me vartësit tuaj në një përpjekje për të hedhur poshtë shefin tuaj – cila prej këtyre dy opsioneve është, apo ka ndonjë opsion të tretë?”, ka pyetur Mishetiq.

“Nuk ka asnjë opsion të tretë. Është e para. Komandantët e zonave e kanë pasur autoritetin dhe për atë këtu diskutohet nga komandantët, diskutimi i tyre. Sa i përket meje, Rexhep Selimit dhe Fatmir Limajt që kemi qenë aty, nuk kemi shkuar për ta bërë ndryshimin e komandantit të përgjithshëm, ne kemi shkuar për një problem krejt tjetër, që e ceka më herët që të shihet përse ka ardhur deri te prishja e takimit dhe pastaj rrjedh ky problem për ndryshimin e komandantit të përgjithshëm dhe zëvendëskomandantëve dhe këtu është shqyrtuar ajo çështje, edhe pse unë kam qenë kundër që të shqyrtohet kjo çështje dhe të bëhet ndryshimi derisa të kthehet delegacioni nga Rambujeja”, është përgjigjur Zyrapi.

Pas Zyrapit, të enjten, dëshminë e filloi një dëshmitar i mbrojtur. Ai u betua në gjuhën shqipe e më pas seanca kaloi në private. 

Zyrapi do ta vazhdojë dëshminë të hënën.