Dëshmitari i mbrojtur me kodin “01158” ka dëshmuar të enjten në seancë tërësisht të mbyllur për publikun, në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara në Hagë. Në bazë të shkresave të Gjykatës, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se ai është viktimë e keqtrajtimit dhe se ka parë edhe viktima të tjera duke u keqtrajtuar gjatë luftës në Kosovë
Dy minuta pasi nisi seanca në Gjykatën Speciale në Hagë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, urdhëroi mbylljen e saj për publikun në emër të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit të 95-të me radhë.
Në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të enjten e nisi dhe e përmbylli dëshminë dëshmitari me kodin “01158”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të dokumentit gjyqësor të publikuar muajin e kaluar pretendon se ai është viktimë e keqtrajtimit gjatë luftës në Kosovë.
“Deklarata e dëshmitarit 01158. Sa i përket relevancës, dëshmitari 01158 u kidnapua prej pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u dërgua në një shtab të UÇK-së. Trupi gjykues vëren që ZPS-ja do të mbështetet në provat e dëshmitarit 01158, ndër të tjera, sa i përket: 1) rrëmbimit të dëshmitarit 01158 prej pjesëtarëve të UÇK-së, 2) ndalimi i dëshmitarit 01158 dhe të ndaluarve të tjerë në një vendndalim të UÇK-së, 3) keqtrajtimi i dëshmitarit 01158 dhe të ndaluarve që ishin bashkë me të dhe 4) identifikimi konkret i një komandanti të UÇK-së”, thuhet në vendimin e DHSK-së lidhur me propozimin e ZPS-së, më 13 shtator 2024.
Si prova që Gjykata i ka pranuar për shqyrtim të mëtejmë përmenden edhe fotografi të pjesëtarëve të UÇK-së.
“Provat që ndërlidhen me dëshmitarin. Trupi gjykues vëren që aneksi me provat që ndërlidhen me dëshmitarin 01158 përmban këto dokumente që i janë shfaqur dëshmitarit 01158: 1) një hartë, 2) një fotografi e hyrjes së kompleksit, 3) dy fotografi të objektit brenda kompleksit, 4) një fotografi me një grup njerëzish me uniforma të UÇK-së dhe 5) një faqe e raportit të policisë ushtarake mbi gjendjen”, thuhet tutje në vendim.
E te dokumenti i fundit i publikuar te shkresat e Gjykatës, thuhet se mbrojtësit e të akuzuarve nuk kanë kundërshtime lidhur me dëgjimin e këtij dëshmitari.
Gjykata Speciale ka njoftuar se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 21 tetor.
Katër të akuzuarit më herët janë deklaruar të pafajshëm në çdo pikë të aktakuzës.