LAJMET E MBRËMJES

ZPS: Dëshmitari i 70-të, pjesëtar i LDK-së, me duar të lidhura është kërcënuar e rrahur

Dëshmitari i 70-të në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka dëshmuar lidhur me ndalimin e tij dhe të një personi tjetër gjatë kohës së luftës. Dëshmia e tij u dha të hënën në një seancë të mbyllur për publikun, por në përmbledhjen e dhënë nga Prokuroria thuhet se dëshmitari ishte anëtar i LDK-së dhe se bashkë me një tjetër, është ndaluar e rrahur

Dëshmia e dëshmitarit të 70-të me radhë në Gjykatën Speciale në Hagë, që sipas Prokurorisë ishte pjesëtar i LDK-së gjatë luftës, është dhënë të hënën në një seancë të mbyllur për publikun.
Në shqyrtimin gjyqësor në rastin ku ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit, prokurori James Pace, e prezantoi shkurt dëshmitarin si person që sipas tij, është keqtrajtuar bashkë me një tjetër gjatë ndalimit në periudhën e luftës në Kosovë.

“Dëshmitari ‘03170’ ishte pjesëtar i LDK-së që është arrestuar së bashku me një person tjetër. Gjatë transferimit në një prej vendeve ku këta persona janë ndaluar, duart e dëshmitarit ‘03170’ dhe të personit tjetër, iu lidhën dhe ata janë kërcënuar e rrahur”, tha Pace. 

Në një vendim të vitit të kaluar për pranimin e provave e dëshmisë së këtij dëshmitari, përmenden disa prova materiale, që trupi gjykues i ka vlerësuar parimisht si të besueshme.

“15...Trupi gjykues vëren se provat shtesë të ndërlidhura me dëshmitarin janë: 1) gjashtë fotografi ku shihen dy burra në një shtëpi (“fotografitë”); 2) artikull lidhur me arrestimin e liderëve të LDK-së dhe dëshmia e dëshmitarit 03170 (“artikujt”), 3) një kërkesë e UÇK-së e datës 17 dhjetor 1998 (“Kërkesa e UÇK-së”); 4) një video e datës 28 nëntor 1998 (“Videoja”); 5) njoftimi i Drejtorisë së UÇK-së (“Njoftimi i Drejtorisë së UÇK-së”) dhe 6) vendimi i Shtabit të Përgjithshëm i datës 10 korrik 1997 (“Vendimi i UÇK-së”)”, thuhet në vendimin e trupit gjykues të 23 nëntorit të vitit 2023.

Në vendim të trupit gjykues, po ashtu thuhet se pa këto dokumente dhe pa këto fotografi, pjesët relevante të dëshmisë së dëshmitarit me kodin “03170” do të ishin të pakuptueshme dhe me vlerë më të ulët provuese.

Lidhur me fotografi, e po ashtu artikuj e video, pritet të flasë edhe dëshmitari Nuhi Bytyçi, gazetar gjatë kohës së luftës, i cili njoftoi të dielën se është ftuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. 
Bytyçi, që është propozuar si dëshmitar nga prokuroria, në një njoftim për media tha se dëshmia e tij në Hagë do të jetë, “në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së, të argumentimit të sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe mbështetjes së popullatës civile dhënë UÇK-së”, të cilën siç u shpreh, ai dhe shumë kolegë të tij gazetarë e kanë prezantuar në mënyrë profesionale.

Në këtë rast po gjykohen Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.