LAJMET E MBRËMJES

Zhvendoset shenja përkujtimore e gruas që u vetëflijua

Guri përkujtimor i Pashke Markut është bartur në kompleksin memorial “27 Prilli” në Mejë të Gjakovës. Autoritetet janë vënë në mbrojtje të përkohshme të këtij guri, i cili fillimisht, paraditen e së premtes përfundoi në mbeturina. Guri është marrë nën kujdes të Agjencisë për Menaxhim të Komplekseve Memoriale të Kosovës, një javë pasi pronari i tokës vendosi ta hiqte nga vendi ku qëndroi për dy dekada

Shteti ka marrë nën kujdes të përkohshëm gurin përkujtimor të Pashke Markut – nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të djemve të saj të vrarë e të djegur nga kriminelët serbë – pak pasi ai u hodh në mbeturina të premten në mëngjes. Autoritetet dhe familjarët e nanës Pashke kanë konfirmuar se tashmë guri është dërguar në kompleksin memorial “27 Prilli”, në Mejë të Gjakovës.

Javën e kaluar, të menjëhershme ishin reagimet në publik pasi pronari i tokës, ku guri kishte qëndruar për dy dekada, vendosi ta hiqte atë nga ara në fshatin Korenicë të Gjakovës. Ndërkaq, të premten në mëngjes, guri i nanë Pashkes përfundoi në mbeturina në hyrje të Gjakovës, afër varrezave të qytetit. Pas përfundimit në mbeturina, familjarët kanë dhënë të njëjtën përgjigje si në rastin e heqjes së gurit nga vendi i tij para një jave. “Përgjegjësia u takon institucioneve”, ka thënë Liridon Marku, nipi i Pashke Markut të premten në mesditë.

Guri qëndroi shkurt në mbeturina. Autoritetet janë vënë në lëvizje pasi kanë parë automjetin duke e hedhur gurin te plehrat. Qysh në rastin e heqjes së gurit, Ministria e Kulturës pati bërë të ditur se ekipet kanë dalë në terren e se pritet raporti i Agjencisë. Raporti mban datën e 28 korrikut. Siç thuhet në këtë raport që Imer Hakaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, ia ka dërguar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, me të pranuar lajmin për largimin e gurit të Pashke Markut, autoritetet janë pajtuar për bartjen e përkohshme në Mejë. Ai ka bërë të ditur se fillimisht është njoftuar Policia e Gjakovës dhe më pas është njoftuar Prokuroria. Hakaj ka njoftuar në raport se gjithçka është zhvilluar në pajtueshmëri me familjarët e nënës Pashke Marku.

Në këtë raport thuhet po ashtu se ekipi i Agjencisë ka dalë në terren më 25 korrik për t’i kryer matjet e nevojshme dhe piketimin e gurit.

“Ekipi i AMMKM-së ka hartuar skicën e projektit me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të këtij monumenti. AMMKM do të sigurohet që konform me ligjin do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për ofrimin e zgjidhjes së duhur duke ruajtur vlerat shpirtërore, historike”, thuhet në raportin e Hakajt. Raporti i Hakajt përfundon me zotimin se do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore, pas pranimit të raportit zyrtar nga zyrtarët përgjegjës të institucionit.

Në Komunën e Gjakovës kanë thënë se e kanë marrë nën përkujdesje gurin që simbolizon sakrificën e nënës Pashke Marku, duke e vendosur përkohësisht në një ambient publik në afërsi të Kompleksit Memorial në Mejë.

“Ky veprim është ndërmarrë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe në marrëveshje me familjen Marku. Guri do të qëndrojë në këtë lokacion deri në gjetjen e përbashkët të një zgjidhjeje të përhershme”, shkruhet në njoftimin e Komunës.

Ka qenë shkrimtari dhe studiuesi Ag Apolloni ai që kishte alarmuar të premten e kaluar për heqjen e gurit. Ka reaguar edhe me rastin e hedhjes në mbeturina sot në mëngjes. E ka cilësuar hedhje të historisë në plehra, teksa ka akuzuar pronarin e tokës, i cili, sipas tij, me siguri ndihet krenar e fitimtar, “sepse nuk mundi ta ndalë askush: As Qeveria, as qytetarët”.

“Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se disa fitore janë më të turpshme se humbjet. Kjo e tij është e tillë”, ka shkruar Apolloni në Facebook, pas lajmit se guri ka përfunduar në bërllok.

Ai ka thënë se me hedhjen në mbeturina, është hedhur përkujtimi i tragjedisë së madhe e dëshmia e krimeve serbe.

“Duke e hequr një dëshmi të tillë, ke bërë një gabim të pafalshëm”, ka shkruar tutje Apolloni.

Pronari i tokës, që jeton jashtë vendit, nuk është lajmëruar në thirrjet në telefon.

Javën e shkuar, nipi i Pashke Markut, Liridoni, pati thënë se pronari i tokës ka tre vjet që ka bërë kërkesë ta heqë gurin me arsyetimin se aty familja e nanës Pashke dëshiron të ndërtojë kishë. Sipas nipit të Pashke Markut, zotimi i familjes së tij ka qenë që në fillim se s’do të bëhet asgjë përtej gurit.

“Më 2003, më 27 maj nana Pashke është vetëflijuar. Në vitin 2004, kushërinjtë e nanës Pashke prej Strellcit e kanë nxjerrë atë gur prej bjeshke edhe i kanë thanë baçit (babait tim) se po duam ta sjellim atë gur për nënën Pashke, ku e ka djeg veten. E kemi thirrë zotin Hasan, i kemi thanë ‘a ka mundësi me e vu një gur në tokën tënde, me na shitë sa të thuash ti atë pjesë’. Ka thanë ‘s’vjen në shprehje me e shitë, kjo është më e pakta që mundem me e bë për veprën e nanës Pashkë’. Edhe i ka thanë baci veç atë gur dhe asgjë tjetër. As edhe një pllakë s’e kemi qitë, se kemi dashtë me mbajt fjalën që të jetë vetëm ai gur”, kishte thënë Liridon Marku. “Qe tre vjet, i ka bë kërkesë bacit me e heq gurin, me arsyetimin se po doni ta bëni një kishë aty. Baci i ka thënë se kam premtuar dhe premtoj prapë se aty as edhe një send s’do të vihet përtej atij guri”.

Marku ka thënë se intensiteti i kërkesës për heqje të gurit është rritur javëve të fundit, pasi vendi u vizitua nga kryeministri Albin Kurti, në 20-vjetorin e vdekjes së nënë Pashkes.

Ai qe shprehur se familja e ka përjetuar rëndë ngjarjen.

“Në bazë të reagimeve s’e kanë përjetuar mirë as qytetarët e Kosovës. Nana Pashke u kon nana e familjes deri më 27 maj 2003, pas kësaj ka qenë nana e krejt shqiptarëve e krejt Kosovës”, kishte thënë ai teksa kishte deklaruar se familja s’do të bëjë asnjë veprim. Ai kishte konfirmuar se punimet qenë ndaluar të enjten e kaluar nga Policia, porse guri është hequr dhe është bërë gati për t’u larguar me kamion.

Pashke Markut i ishin vrarë dy djem në fund të prillit të 1999-s. Trupat e tyre ishin gjetur në varreza masive nëpër Serbi. Më 27 maj 2003, nana Pashke ia vuri flakën, vetes pasi konsideronte se duhej të digjej edhe ajo. Guri ishte vendosur në prill të 2004-s në pajtim me pronarin e tokës.