LAJMET E MBRËMJES

Zhitia: Udhëheqja e Zonës së Llapit nuk u caktua nga Shtabi i Përgjithshëm

Autori i librit “UÇK-ja: Zona Operative e Llapit”, Skënder Zhitia, ka dëshmuar në Gjykatën Speciale. Zhitia, i cili është edhe ish-ushtar i UÇK-së dhe këshilltar i lartë shkencor në Institutin e Historisë, tha se formimi i Zonës Operative të Llapit ndodhi para se Shtabi i Përgjithshëm të quhej i tillë dhe se udhëheqja e saj nuk ishte caktuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Skënder Zhitia, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare e këshilltar i lartë në institutin e historisë “Ali Hadri”, ka dëshmuar të hënën në Gjykatën Speciale lidhur me librin e tij “UÇK-ja: Zona Operative e Llapit”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes, ai tha se Komanda e Zonës Operative të Llapit nuk u caktua nga Shtabi i Përgjithshëm, por që Rrusem Mustafa, Ilir Konushevci, e Latif Gashi vendosën bashkërisht për pozitat pasi policia serbe e vrau heroin Zahir Pajaziti më 1997.

“A është e vërtetë të thuhet se Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Ilir Konushevci në shtator të ‘97-tës vendosën që të takoheshin me njëri-tjetrin dhe ta caktonin njëri-tjetrin në pozicione komanduese pa asnjë urdhër nga lart?” – pyeti avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon.

“Pas rënies së Zahir Pajazitit këta më 31 janar 1997 morën mbi supe përgjegjësinë për riorganizimin e nënzonës operative të Llapit në atë kohë dhe sigurisht ata kanë mbajtur disa takime të cilat janë të evidentuara në librin tim, e në mesin e tyre është edhe ky takim që po e përmendni ose i 2 shtatorit se e kam ngatërruar datën e vitit 1997, ku kanë ndarë përgjegjësitë së bashku bashkëluftëtarët mes vete. Po pajtohem se nuk ka pasur ndonjë urdhër nga lart nëse është pyetja kështu. Nuk ka pasur nga Shtabi Qendror në atë kohë ose Shtabi Operativ, por ka qenë një vetorganizim për ta filluar shtrirjen ose organizimin e  UÇK-së në Zonën Operative të Llapit”, tha Zhitia.

Dëshmitari gjatë luftës udhëhoqi njësinë “Kështjella 33”.

Tha se informatat e shkruara në libër sa i takon Zonës Operative të Llapit i ka personale sa i përket njësisë që e drejtonte dhe se ka përdorur burime të tjera për pjesën tjetër të Zonës, që tha se e takoi pas luftës.

“Nëse e keni fjalën vetëm për ‘Kështjellën 33’ atëherë jam bazuar në detyrat, përgjegjësitë dhe përvojën time gjatë luftës. Nëse e ke fjalën për njësitë e tjera atëherë është e bazuar në intervistat ose në bisedat  që i kam pasur me bashkëluftëtarët...” – tha Zhitia.

Ai tha se më 20 gusht 1998, Hashim Thaçi e vizitoi për herë të parë Zonën Operative të Llapit dhe kjo ishte hera e parë që një person i Shtabit shkoi në këtë zonë  

Tha, po ashtu, se nuk ka qenë personalisht pjesë e këtyre takimeve.