LAJMET E MBRËMJES

Zhbllokohen punimet në “Rrugën A”

Janë zhbllokuar punët në projektin më të madh infrastrukturor që Komuna e Prishtinës e ka në zhvillim. Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka lejuar vazhdimin e punimeve në “Rrugën A” dhe ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë përmban shkelje dhe është i bazuar në fakte të paqarta dhe kontradiktore

Pas tre muajsh pezullim, shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka marrë vendim që të lejojë nisjen e punimeve në “Rrugën A” në kryeqytet.

Punimet janë pezulluar dy herë radhazi nga shkalla e parë e kësaj gjykate, por vendimi është ndryshuar në Apel.

Në vendimin e publikuar të mërkurën, që aprovon ankesat e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Komunës së Prishtinës dhe operatorit “Sallahu”, thuhet se qëndrimi i shkallës së parë nuk është i drejtë pasi faktet janë të paqarta dhe kontradiktore.

“Kolegji vlerëson se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të japë arsye bindëse për faktet vendimtare, të cilat ndikojnë në zbatimin e drejtë të dispozitës së nenit 22 par.2 të LKA-së, duke mos balancuar drejt kërkesën e palëve në raport me kriteret ligjore. Sipas vlerësimit të Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, nëse analizohen një nga një kushtet ligjore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit kontestues, rezulton se gjykata e shkallës së parë fillimisht nuk ka arritur të japë arsye bindëse se ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, si kriter i parë ligjor nga neni 22, par.2, i LKA-së”, thuhet në vendim.

Gjykata Komerciale bllokoi punimet në “Rrugën A” duke u bazuar në nenin 65 të Ligjit të Prokurimit Publik. Dispozita ndalon pjesëmarrjen në tender të kompanive që u është dënuar pronari ose drejtori në 10 vjetët e fundit.

Në kompaninë “Sallahu” patën thënë për KOHËN se ky nen nuk ua ndalonte pjesëmarrjen në tender, pasi që nuk e specifikon nëse norma vlen edhe kur kompania e ndryshon pronarin.

Ish-pronari i kësaj kompanie, Naim Sallahu, është i dënuar me gjobë, ndërsa ka edhe një përballje tjetër me drejtësinë për një tender në Ministrinë e Infrastrukturës.

Gjykimi është në proces e veprat për të cilat ai është i akuzuar përfshijnë falsifikimin e dokumentit zyrtar dhe mashtrimin në prokurimin publik.

Ndaj këtij vendimi, ankesë ka paraqitur i padituri OSHP për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që gjykata të aprovojë ankesën si të bazuar, të ndryshohet aktvendimi i 30 nëntorit, ashtu që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit “Pro & CO Group”, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të të paditurës.

Ankesë ndaj vendimit të parë kishin parashtruar edhe palët e interesuara – Komuna e Prishtinës dhe kompania “Sallahu”.

Komuna e Prishtinës në ankesë kishte theksuar se ka konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljes së dispozitave të procedurës, duke propozuar ndryshimin e aktvendimit të shkallës së parë dhe refuzimit të kërkesës së paditësit.

Njësoi kishte konstatuar edhe kompania “Sallahu”.

E paditësi “Pro & CO Group” ka kundërshtuar pretendimet e tyre, duke propozuar të refuzohen si të pabazuara dhe të mbetet në fuqi vendimi i shkallës së parë.

Por, shkalla e dytë ka vlerësuar se me rastin e shtyrjes së ekzekutimit të vendimit, gjykata shqyrton dhe kufizohet vetëm në kushtet ligjore nga neni 22, paragrafi 2 i Ligjit për Konfliktet Administrative, të cilat duhet të plotësohen në mënyrë kumulative në mënyrë që të shtyhet ekzekutimi i aktit administrativ.

Aty thuhet se shkalla e parë nuk ka arritur as ta konkretizojë dëmin potencial për palën paditëse, por këtë e ka arsyetuar si dëmtim të interesit publik, sepse e vë në dyshim realizimin e projektit.