Është ndërmarrë nismë konkrete në Bashkimin Evropian për t’ia kushtëzuar Serbisë procesin e anëtarësimit me zbatimin e marrëveshjes bazë të dakorduar me Kosovën. Është bërë kjo nga ambasadorët e vendeve anëtare, që miratuan njëzëri amendamente të kapitullit 35.
Ngecjet në zbatimin e marrëveshjes bazë dhe moszgjidhja e çështjeve të hapura mes Kosovës e Serbisë e kanë vënë në lëvizje Bashkimin Evropian. Në javën kur pritet takimi i radhës për dinarin, Radio Evropa e Lirë ka shkruar se ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë miratuar njëzëri amendamentet e kapitullit 35 në negociatat për anëtarësim me Serbinë.
Sipas raportimit, detyrimet që Serbia i ka marrë me Marrëveshjen e Brukselit dhe me atë të Ohrit bëhen pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të saj në BE.
“Qëndrimi i përbashkët për kapitullin 35 për Serbinë është miratuar pa koment. Presidenca njoftoi se e njëjta gjuhë do të përdoret edhe në Kosovë”.
Korniza negociuese e BE-së është dokumenti bazë mbi të cilin zhvillohet procesi i negociatave të anëtarësimit me vendet kandidate. Kapitulli 35 i negociatave për anëtarësimin e Serbisë flet për marrëdhëniet me Kosovën.
BE-ja prej fillimit ka paralajmëruar se obligimet e Serbisë dhe Kosovës nga marrëveshjet e arritura në dialog do të jenë pjesë integrale në rrugën e anëtarësimit.
Në zyrën e përfaqësuesit të lartë të BE-së nuk janë përgjigjur lidhur me vendim në raport me Serbinë.
Vitin e kaluar BE-ja i vendosi masa Kosovës dhe ato ende janë në fuqi, për shkak të tensioneve në veri. Me gjithë insistimin e Qeverisë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet për shtensionimin e situatës, vendimmarrja e BE-së ende nuk është vënë në lëvizje për heqjen e masave.
Ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak, të martën njoftoi se takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se me të ka folur për dialogun.
“Në Mostar fola edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapat e ardhshëm në dialog, takimin e radhës së kryenegociatorëve, si dhe zhvillimet rajonale. Theksova nevojën për progres urgjent në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, tha Lajçak.
E presidenti serb, i cili prej muajsh paralajmëron se nuk do t’i zbatojë të gjitha zotimet e marra në Bruksel, ka shkruar se “ngjarjet në Kosovë lanë gjithnjë e më pak hapësirë për zgjidhje të çështjeve të hapura nëpërmjet dialogut dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare”.
Për të enjten është paralajmëruar takimi i pestë me radhë lidhur me zbatimin e Rregullores së Bankës Qendrore në mesin e komunitetit serb, që operon me dinar.
Lajçaku tashmë ka dhënë një propozim, i cili ofron zgjidhje të përkohshme që ishte pranuar nga pala kosovare, por u refuzua nga Serbia.
Lidhur me takimin e së enjtes ka komentuar drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke e fajësuar Kosovën për mungesën e ujdisë.
Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti dhe njeh vetëm euron si valutë zyrtare.