Dëshmitari Douglas Young, i cili ka punuar në misionin verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, e ka përmbyllur të enjten dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara, në rastin ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Në pyetjet e mbrojtjes, ai është përgjigjur se ishte në interes të UÇK-së që të paraqitej sa më e organizuar para ndërkombëtarëve për të fituar mbështetje
Douglas Young, ish-oficer i Ushtrisë britanike dhe zyrtari i misionit verifikues për Kosovë në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e ka përmbyllur të enjten dëshminë e tij në rastin ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, dëshmitari ka thënë se ishte interesin e UÇK-së që ta paraqiste veten sa më të organizuar, qoftë për të marrë mbështetje ndërkombëtare, qoftë për forcim të saj përbrenda Kosovës.
“UÇK-ja synonte të prezantohej në mënyrë më të mirë të mundshme në raport me organizatat ndërkombëtare. Sa më i mirë të ishte organizimi që ata përfaqësonin, aq më efektive do të ishin marrëdhëniet e tyre”, ka thënë Young, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe Rexhep Selimit.
Avokati Roberts ka pyetur dëshmitarin edhe lidhur me një deklaratë kundërthënëse, për të cilën është përgjigjur se nuk e mbante në mend.
“Ka pasur informacione kundërthënëse lidhur me një individ të paidentifikuar, me të cilin ishit takuar në Tërpezë dhe pretendohej të ishte nën kontrollin e Shtabit të Përgjithshëm, por në të njëjtën kohë Shtabi i Përgjithshëm e mohon që e kishin ata atë person”, ka pyetur avokati.
“Kërkoj ndjesë që nuk jam në gjendje ta sqaroj këtë, por nuk më kujtohet në cilin moment të ditës apo cilën orë më është thënë kjo. Mendoj që mund t’i ketë thënë MVK-së (Misionit Verifikues në Kosovë), e cila pastaj më është transmetuar mua”, është përgjigjur Young.
Lidhur me komunikimin e pjesëtarëve të UÇK-së mes vete, dëshmitari ka thënë se ka dallim të madh me atë në Ushtrinë britanike, pasi që në Kosovë, sipas tij, e thërrisnin njëri-tjetrin në emër e jo me nofkë apo në bazë të pozitës.
Duke iu përgjigjur kundërpyetjeve të mbrojtësit të Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, ai ka thënë se nuk kanë ekzistuar hollësi konkrete për strukturën e UÇK-së. Avokati fillimisht e ka lexuar një pjesë të raportit të OSBE-së, në të cilin ishin përmendur vështirësitë e monitorimit shkaku i detajeve të pamjaftueshme për strukturën e UÇK-së, në fund të shkurtit të 1999-s. Ai ka theksuar se nuk kanë ekzistuar hollësi konkrete për UÇK-në siç kanë ekzistuar për forcat serbe, ndonëse nuk ishte edhe pa asnjë informacion, teksa ka shtuar se po punohej në mbledhjen e sa më shumë informacioneve në interes të paqes dhe në interes të vetë UÇK-së.
Në vazhdim të seancës, dëshmitari me kodin “03724” u është përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të Veselit, Ben Emmerson. Me këtë rast, Young ka pohuar se funksionet e Misionit Verifikues në Kosovë (MVK) janë rritur pas marrëveshjes për armëpushim dhe se situata ka qenë e ndjeshme shkaku i demantimit nga shqiptarët se si komuniteti ndërkombëtar kishte rënë dakord me këtë marrëveshje dhe se brenda territorit të Kosovës kishin mbetur ende forca të armatosura të Serbisë.
Ai ka pohuar se MUP-i Serbisë kishte ende automjete të blinduara dhe kamionë për transportimin e armëve dhe mjeteve të tjera. Young ka theksuar se ata monitoronin zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, por edhe çështjet e së drejtës humanitare, por ka shtuar se në një konfrontim ushtarak mund të ndodhte dhe të mos kishte shkelje të ligjeve humanitare.
Dëshmitari ka thënë se ka pasur incidente edhe të tjera, porse masakra e Reçakut ishte shkelja kryesore më e madhe dhe e parë e marrëveshjes së armëpushimit. Ai është pajtuar se Reçaku ka qenë pikë kthese në vendosmërinë e ndërkombëtarëve që Kosova të mos bëhet një Bosnjë tjetër.
Sipas tij, ka pasur një cikël dhune teksa ka shtuar se “ka pasur dijeni që UÇK-ja ka gjuajtur në drejtim të MUP-it para se të ndodhte Reçaku, dhe Reçaku ishte përgjigjja që i dha situatës MUP-i”.
Ai gjithashtu ka thënë se ka njohuri që janë bërë bisedime midis përfaqësuesve të UÇK-së dhe amerikanëve, britanikëve, gjermanëve e të tjerë, porse nuk e di se ku kanë ndodhur takime të tilla. Dëshmitari ka shtuar se e dinte se kanë mundur të ndodhin edhe jashtë Kosovës.
Young ka theksuar se është në njohuri se bisedat nëse dhe kur Perëndimi do të bombardonte Serbinë dhe si do të ishte mënyra e duhur që të vepronte UÇK-ja, ishin sekrete dhe janë të bëra mes shërbimeve sekrete të vendeve.
Një ditë më parë, në prezantimin që ia bëri Zyra e Prokurorit të Specializuar, është thënë se pas luftës, Young është bërë pjesëtar i KFOR-it dhe se pati përgjegjësi për rajonin e Rahovecit dhe Malishevës. Sipas ZPS-së, Young ka bashkëpunuar me UÇK-në lidhur me mundësinë e gjetjes së personave të zhdukur dhe lirimin e të rrëmbyerve, përfshirë Ymer Xhafiqin. Gjatë dëshmisë së tij një ditë më parë, ai ka thënë se për Xhaviqin ka folur me Fatmir Limajn, porse i është thënë se përgjegjës për të është Shtabi i Përgjithshëm e jo ai.