Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka dëshmuar të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë në një seancë të posaçme. Siç ka mësuar KOHA, në këtë seancë ai ka dëshmuar lidhur me masakrën e Reçakut. Në seancë i pranishëm ka qenë edhe një prokuror special, si dhe shumë avokatë të të dyshuarve
Ish-shefi i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë kohës së luftës në Kosovë, William Walker, është paraqitur të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ambasadori Walker e pati cilësuar krim lufte masakrën e kryer nga forcat serbe në Reçak, pas të cilit përfundim është rritur trysnia ndaj Serbisë, përfshirë edhe me bombardimin e caqeve ushtarake dhe policore të saj nga NATO-ja për ta ndalur luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.
Para se të mërkurën të hynte në objektin e Gjykatës, Walker ka thënë se paraqitjen e ka bërë me kërkesë të Themelores.
“Më është kërkuar që të vija në gjykatë dhe kur më kërkohet unë vij, apo kur ma kërkon dikush nga Policia”, ka theksuar ai.
Teksa nuk ka dhënë hollësi të mëtutjeshme, Walkeri ka theksuar se supozon që ftesa i është bërë lidhur me masakrën e Reçakut.
“Supozoj se po (ka të bëjë me masakrën e Reçakut, v. j.). Ashtu supozoj, por nuk jam i sigurt. Duket se është për atë në të cilën jam kyçur qe 26 vjet. Kështu që, mezi po pres të flas”, ka thënë Walker.
Dëshmia e ish-shefit të misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë është zhvilluar prapa dyerve të mbyllur. Siç ka mësuar KOHA, dëshmia e tij është e ndërlidhur me masakrën e Reçakut, fshat në
Komunën e Shtimes, ku forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të 1999-s.
Burime të KOHËS kanë thënë se Walkeri ka dëshmuar në kuadër të asaj që quhet hetuesi e veçantë, e që praktikohet në rastet kur vlerësohet se një dëshmi duhet të merret jashtë radhe, shkaku i rrezikut se dëshmitari nuk do të mund të dëshmojë në të ardhmen si pasojë e moshës së shtyrë apo gjendjes shëndetësore. Walker është 89 vjeç.
Në sallë nuk ka pasur të dyshuar, por vetëm avokatë të të dyshuarve. Mbi 10 avokatë kanë qenë të pranishëm në këtë seancë të posaçme e edhe prokurori special Ilir Morina.
Walker ka qenë shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1998-99. Ai pati rol kyç në ekspozimin e masakrës së Reçakut në Shtime para gjithë botës. Më 16 janar 1999, Walkeri ka vizituar vendin e ngjarjes, ku ishin ekzekutuar 45 civilë shqiptarë.
Ish-diplomati amerikan është figurë e nderuar në Kosovë. Ka pranuar një mori dekoratash nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Presidentja Vjosa Osmani e ka nderuar me medaljen “Urdhri i Lirisë”, ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me medaljen “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit”.
Për këtë masakër deri tash janë dënuar dy serbë, por asnjëri nuk është duke vuajtur burgimin, pasi që njëri prej tyre ndodhet në arrati, ndërsa tjetri është dënuar në mungesë.