E në akademinë përkujtimore për 45 civilët shqiptarë të ekzekutuar në masakrën e Reçakut, ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së, William Walker, tha të mos e kishte pasur vështirë t’i tregonte botës për të vërtetën e asaj që e ka parë në këtë fshat të Shtimes, mëngjesin e 16 janarit të 1999-s.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, që 26 vjet më parë e sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për masakrën e Reçakut, tha se nuk e pati të vështirë të tregonte për atë që ka parë në këtë fshat të Shtimes mëngjesin e 16 janarit të 1999-s.
Tek foli në akademinë përkujtimore për 45 viktimat e masakrës së 15 janarit të ‘99-s, ai kujtoi se pas vizitës në Reçak i tregoi botës edhe se kush mendonte që është përgjegjësi.
“Nuk ka qenë e vështirë të deklaroj për atë që pashë në mëngjes, që 45 civilë të pafajshëm u morën nga fshati, burra dhe djem të rinj, nën kërcënimet e armëve të armatës së Serbisë dhe u vranë. Ishte e qartë se çka ndodhi aty dhe kjo ishte e vërteta për këdo që ishte me mua aty në mëngjes”, ka deklaruar Walker.
Asokohe ai e pati kualifikuar masakrën si krim kundër njerëzimit dhe pyeti nëse kjo është përgjigjja jugosllave ndaj tetë ushtarëve të liruar nga UÇK-ja.
Presidentja Vjosa Osmani tha se Reçaku e shpërfaqi fytyrën e vërtetë të shtypjes dhe gjenocidit të regjimit serb, të cilin Beogradi zyrtar vazhdon ta mohojë.
“Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për informacionin, me emrin Aleksandar Vuçiq. Sot po i njëjti, nën petkun e presidentit të Serbisë, vazhdon ta mohojë masakrën e Reçakut, e mohon atë që bota e pa me sytë e vet, e quan Millosheviqin njeri të madh me qëllime të mira”, ka deklaruar Osmani.
E kryeministri Albin Kurti bëri thirrje për drejtësi për viktimat.
“Varret në tokë, vragat në trup e në shpirt, vrasësit në liri, në Serbi. Varre të hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, vragat e mbyllura në trup e arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhnin, nuk është dashur të ndodhnin. Ajo që duhet të ndodhë për pasojë është drejtësia”, ka theksuar Kurti.
Serbia e ka mohuar masakrën e Reçakut, teksa presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, në disa rrethana edhe e ka quajtur trillim.