LAJMET E MBRËMJES

VV-ja e Guxo reagojnë për tenderin 12-milionësh të Komunës së Prishtinës

Përveçse nuk është diskutuar fare në Kuvendin Komunal të Prishtinës, projekti për të themeluar Shërbimin e Arkitektit të Prishtinës po konsiderohet tejet i shtrenjtë dhe i panevojshëm.

Të ndahen 12 milionë euro për një projekt të tillë, është nënçmim i punës së shumë profesionistëve në komunë, thonë asamblistët nga radhët e opozitës.

“Shumë fikse, e cila është sa grandi i Qeverisë për kryeqytetin. Pra, 12 milionë që rastis të jetë fushë e njëjtë profesionale si ajo e kryetarit Rama, e cila përkthyer në muaj i bie më shumë se 300 mijë euro. Ky tender, i cili rrëzon çdo vlerë të departamenteve ekzistuese përbrenda komunës nënçmon çdo punonjës profesional në këtë fushë në komunë, të cilët pagën e kanë 600 herë më të vogël sesa kostoja mujore e tenderit”, tha Triera Kasumi-Berisha nga Lista Guxo.

Kasumi-Berisha ka theksuar se ky tender në fushatën parazgjedhore është përmendur në mënyrë sipërfaqësore, ndërsa në Kuvend Komunal nuk është diskutuar fare.

Ndërsa, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, teksa ka numëruar disa nga shërbimet elementare që nuk janë kryer nga komuna, ka thënë se nuk duhet buxhet për t’i përfunduar ato punë, por duhet përkushtim.

“Qentë endacakë, mbeturinat, mungesa e ndriçimit publik, shërbime komunale jocilësore janë dukuri me të cilat po ballafaqohemi çdo ditë e të cilat nuk kanë nevojë për konsulenca 12-milionëshe po për zgjidhjen e tyre duhet punë konkrete dhe përkushtim i vërtetë që disa nga problemet janë të trashëguara, por asgjë nuk është bërë për zgjedhjen e tyre e disa probleme të tjera kanë ardhur bashkë me përparimin”, tha Sveçla.

Në fund të muajit të kaluar, në emër të Kuvendit Komunal të Prishtinës, është bërë njoftimi për kontratë, vlera e paraparë e së cilës është 12 milionë euro, për një kohëzgjatje prej 36 muajsh.

Opozita ka theksuar se po i vlerësojnë aspektin ligjor të kontratës dhe bashkëpunimin me drejtësinë.