LAJMET E MBRËMJES

Vrasja në Prizren, dyshohet se konflikti ka filluar për shkak të faturës

Një 31-vjeçar nga Shqipëria ka vdekur mëngjesin e së martës, rrugës për në spitalin rajonal të Kukësit, teksa edhe një tjetër ka pësuar plagë, pas të shtënave me armë zjarri në një lokal nate në Prizren.

Bazuar në hetimet fillestare të Policisë së Kosovës dyshohet se konflikti mes palëve ka nisur shkaku i mosmarrëveshjeve rreth një fature.

Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë rajonale në Prizren, ka bërë të ditur se Policia është informuar pas orës 4 të mëngjesit rreth të shtënave me armë zjarri në një lokal të natës, në dalje të qytetit të Prizrenit, dhe se fillimisht është hapur rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

“Pastaj gjatë hetimit të rastit, më vonë kanë ardhur informacionet të reja nga autoritetet e Shqipërisë, ku dyshohet se në këtë rast shkëmbimi zjarri dy persona janë plagosur dhe se njëri nga të plagosurit për në spital ka ndërruar jetë. Dy të plagosurit janë nga Republika e Shqipërisë dhe të dy janë nisur në spitalin në Republikën e Shqipërisë. Policia ka vazhduar hetimet, në hetime janë kyçur edhe sektori rajonal i hetimeve, të cilët kanë filluar bastisjet, mbledhjen e provave, dëshmive. Janë ndaluar disa persona që kanë mundur të jenë të përfshirë në ngjarje, në mesin e tyre është edhe pronari i lokalit dhe stafi i lokalit në fjalë”, tha Bytyqi.

Ai ka theksuar se dyshimet janë që konflikti mes palëve ka ndodhur për shkak të faturës.

“Dyshohet se konflikti ka filluar për shkak të faturës, apo diçka tjetër por hetimet janë në fazën fillestare dhe nuk mund të them me shumë”, tha Bytyqi.

Admir Shala, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prizren, ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lokalin “Kobra City”, rreth pagesës së faturës së shërbimeve.

“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh. dhe A.B. po largoheshin me automjetin e tyre të markës “Audi”, dyshohet se shtetasi i Kosovës D. H. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, 31-vjeçari me inicialet V. C. dhe R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi, janë plagosur, ku si pasojë e plagëve shtetasi V.C. ka vdekur, ndërsa shtetasi R.SH. ka pësuar lëndime trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë”, tha Shala.

Shala ka bërë të ditur se kosovari me inicialet D.H. dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe se lidhur me rastin janë ndaluar për 48 orë, 6 persona.

Ai ka bërë të ditur se Prokuroria bashkë me Policinë e Kosovës po i ndërmarrin veprimet për sigurimin e provave dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe se në këtë drejtim po bashkëpunojnë edhe me organet ligjzbatuese të Shqipërisë.