Është përmbyllur gjykimi në shkallë të parë në rastin e vrasjes në “Bon Vivant” ku Andi Pajaziti akuzohet për vrasjen e Kastriot Ramadanit. Në fjalën përfundimtare, prokurorja Bukurije Gjobalaj kërkoi nga gjykata dënimin e të akuzuarit Pajaziti, kurse mbrojtja kërkoi që i akuzuari të lirohet, në mungesë të provave
Andi Pajaziti, i akuzuari për vrasjen e Kastriot Ramadanit në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë më 4 gusht 2023, është paraqitur për herë të fundit para gjykatës para shpalljes së aktgjykimit në këtë rast.
Në fjalën përfundimtare prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Bukurije Gjonbalaj, tha se nga deklaratat e dëshmitarëve dhe provat materiale, është vërtetuar se Pajaziti është fajtor për vrasje të kryer dhe për armëmbajtje pa leje.
Ajo i kërkoi gjykatës që ta marrë parasysh në shqiptimin e dënimit edhe faktin se i pandehuri ka qenë i dënuar më herët për vepra penale.
Po ashtu Gjonbalaj tha se edhe provat materiale si dëshmitë nga vendngjarja e raportet forenzike e dëshmojnë fajësinë e të pandehurit.
“Se i pandehuri e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë më së miri vërtetohet nga videoincizimi dhe nga kamera, CD-ja e cila është shikuar edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku i njëjti vërehet, momenti ku pasi ka qenë i goditur fillimisht nga i ndjeri me një shishe në kokë, ka shtënë në drejtim të të ndjerit Kastriot Ramadani, gjë që vërtetohet edhe nga ekspertiza për gjendjen shëndetësore dhe mendore për të pandehurin Andi Pajaziti, i datës 07.05.2024”, ka thënë prokurorja Gjonbalaj.
E mbrojtësi i të pandehurit Andi Pajaziti, avokati Fanol Krasniqi, ka thënë në gjykatë se as aktakuza e as dëshmitë gjatë procesit gjyqësor nuk e provuan fajësinë e klientit të tij.
Ai tha se Pajaziti u gjend para një situate, mbrohu ose vdis.
Krasniqi deklaroi se në këtë rast po të mos shtinte me armë klientin e tij do ta vriste viktima dhe i dyshuari i arratisur Dukagjin Lekaj.
“Pra, vrasja e viktimës ka ndodhur gjatë sulmit që viktima ia ka bërë Andi Pajazitit. Meqë sulmi i cili ishte ndërmarrë ndaj Andit nuk ishte ndërprerë, sulmi kishte vazhduar dhe pritej të ndodhte edhe në intensitet më të lartë. Pse Andi kishte vepruar në mbrojtje të nevojshme është kjo arsyeja: sepse ishte i sulmuar për vdekje nga Kastriot Ramadani dhe të tjerët që ishin futur përreth, të gatshëm për të përdorur çdo mjet dhe fuqi të tyre ndaj Andit, i cili ishte i vetmuar”, ka thënë avokati Krasniqi.
Katër të dëmtuar parashtruan kërkesë për zhdëmtim në seancën e fjalës përfundimtare.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast u caktua për datën 31 janar.