Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka qëndruar për vizitë në Kosovë. Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ajo theksoi se Kosova duhet të bëjë ende punë për t’iu hequr masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi vitin e shkuar. E presidentja Osmani vlerësoi se, përveç te populli, masat ndikuan edhe në çekuilibrimin e dialogut të Brukselit
Presidentja Vjosa Osmani ia kërkoi presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, heqjen sa më të shpejtë të masave ndëshkuese që iu vendosën vitin e shkuar Kosovës, pas trazirave në veri.
Tek foli në një konferencë të përbashkët shtypi me Von der Leyenin, që të shtunën qëndroi për vizitë në Prishtinë, Osmani tha se Kosova ka dëshmuar frymë të fqinjësisë së mirë, e që këtë Bashkimi Evropian duhet ta njohë dhe ta vlerësojë.
Ajo theksoi se për shkakun e masave, është humbur edhe kredibiliteti i dialogut Kosovë-Serbi.
“Është koha e fundit që edhe masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveçse të padrejta, këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës, pa dallim, dhe kanë dëmtuar edhe vetë procesin e dialogut, duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, të pabarabartë dhe të pakredibilitet”, ka thënë presidentja.
Osmani tha se është e qartë që procesi i vendimmarrjes është kompleks porse heqja e tyre do të ishte përgjigje ndaj plotësimit të parakushteve që vetë BE-ja i kishte vënë në raport me Kosovën sa i përket këtyre masave.
E pyetur nga gazetarët përkitazi me kërkesën e presidentes Osmani lidhur me heqjen e masave, Von der Leyeni nuk dha ndonjë premtim, por tha se nevojitet ende punë për t’i bindur vendet e BE-së në shfuqizimin e tyre.
“Duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare pasi, siç e dini, të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave”, deklaroi presidentja e KE-së.
Ajo tha se e vlerësojnë dhe mirëpresin hapjen e kufirit për importe nga Serbia dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA.
E Osmani e dha një shembull të dekonstruktivitetit në rajon e ndaj të cilit ajo tha se BE-ja duhet të ndërmarrë masa e veprime.
“Është fat i keq për sigurinë në gjithë rajonin tonë, por edhe për vetë luftën e drejtë të Ukrainës që në Ballkanin Perëndimor, një shtet vazhdon të jetë sateliti më i fortë i Rusisë në Evropë, e ai është Serbia. Është koha e fundit që vendosmëria që BE-ja ka treguar në raport me Rusinë të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë”, u shpreh presidentja.
Për dallim nga Serbia, ajo tha se Kosova ka dëshmuar se përafrimi me politikat e sigurisë dhe politikën e jashtme të BE-së, nuk janë vetëm fjalë, por vepra konkrete.
Von der Leyeni nuk komentoi mbi orientimin e Serbisë kah Rusia. E kur u pyet rreth takimit të anuluar prej saj me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, shkaku i takimit të tij me një ministër rus, presidentja e KE-së tha se pritja vetëm nga presidenti Aleksandër Vuçiq ka qenë mesazh i qartë.
“Për mua ishte mesazh i qartë që presidenti i Serbisë më priti në takim, dhe para meje priti në takim kryeministrin e Polonisë dhe të Greqisë, në vend se të shkonte në Kazan. Ishte mesazh shumë i qartë”, ka thënë Von der Leyen.
Gjatë ditës, Vuçiq ka thënë se kryeministri Vuçeviq nuk ka bërë asgjë të keqe që Ursula von der Leyeni ta anulonte takimin me të, por në fund të fundit, sipas tij, njerëzit në Bruksel nuk mund të durojnë që Vuçeviqi u takua me ministrin rus para presidentes së Komisionit Evropian.
Një ditë më parë, Von der Leyen qëndroi në Serbi dhe takoi Vuçiqit, i cili tha të ketë shtruar nevojën edhe për kompromise në dialogun me Kosovën.
Von der Leyen foli për dialogun edhe në Prishtinë. Ajo theksoi se është i domosdoshme zbatimi i marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe i aneksit për zbatimin e saj, i dakorduar në Ohër.
Ndërkaq, presidentja Osmani kërkoi që edhe aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të marrë trajtimin e merituar. Kosova është në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që presidentja e KE-së i ka vizituar që nga e mërkura, në kuadër të turneut që në fokus ka Planin e Rritjes të BE-së dhe zbatimin e reformave. Ajo nisi fillimisht vizitën në Shqipëri, pas së cilës qëndroi në Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.
Von der Leyen tha se plani i rritjes do të ketë edhe efekte të tjera në rajon, pos atyre financiare.
“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i planifikuar që t’i sjellë ekonomitë e rajonit më afër tregut tonë të përbashkët dhe të integrohen në tregun tonë të përbashkët. E dimë që suksesi i madh i zgjerimit nuk janë vetëm marrëveshjet politike dhe ndarja e vlerave, por është dhe prosperiteti ekonomik që e kemi parë te shtetet që i janë bashkuar BE-së”, ka thënë ajo.
Nga Plani i Rritjes, në total, deri në fund të vitit 2027, nëse përmbush reformat Kosova do të përfitojë 882 milionë euro, duke u bërë përfituesja më e madhe e këtij plani për kokë banori.
Presidentja Osmani tha se ky plan do të ketë ndikim në zhvillimin socio-ekonomik, në hapjen e vendeve të reja të punës si dhe do të ndihmojë shtetin në rrugën drejt integrimit evropian.