Vetëm tre deputetë të Komisionit për Shëndetësi arritën të martën t’i shtrojnë pyetje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Kjo për shkak se ministri pati agjendë tjetër dhe nuk mundi të qëndrojë me gjatë. Deputetët opozitarë e akuzuan për ngecje në këtë sektor. E, Vitia përgjegjës për një pjesë të dështimeve i bëri ish-ministrat
Rreth 2 orë zgjati raportimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, para Komisionit për Shëndetësi të martën. Teksa numëroi ato që ai i konsideron suksese, tha se është përmirësuar furnizimi me barna e listat në shumë klinika janë zvogëluar.
Si shqetësim përmendi gjendjen në Klinikën e Kardiologjisë.
“Lista e pritjeve në Klinikën e Kardiologjisë na shqetëson më shumë, për shkak të natyrës më specifike të urgjencës së shërbimeve. Aktualisht ShSKUK është duke bërë planifikimin për mundësinë që në këtë klinikë të punohet në dy ndërrime të orarit, ndërsa paralelisht kemi filluar përgatitjet për pajisjen edhe me një angiografë në sallën e re të kateterizimit”, tha ministri i Shëndetësisë, Vitia.
Por ish-ministri i Shëndetësisë, tashmë deputet i LDK-së, Armend Zemaj, tha që shëndetësia ka hyrë në vitin e tretë prej kur nuk ka progres.
“Vrulli i jashtëzakonshëm për kapjen e pozitave nga militantë politikë, duket që ka lënë pasoja në shumë klinika, spitale, ka kriju një disharmoni mes kolegëve aty dhe pasojë e kësaj edhe shërbimet janë dobësua, po flasë nga ato që raportohen nga mediat por edhe nga qytetarët”, tha Zemaj.
E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, adresoi shumë kritika ndaj ministrit Vitia për mospërmbushje të premtimeve. Theks të veçantë i dha Sistemit të Informimit Shëndetësor.
“Ky projekt ka filluar në vitin 2006 jo 2011. Pra prej 2006-2011 SISH sillet në këtë tavolinë e në tavolinat e ministrave, por zgjidhje nuk ka”, tha deputeti Haxhiu.
Ministri Vitia, kritikave për SISH-in iu përgjigj duke thënë se ata që menaxhuan me këtë sistem nuk ishin ministra nga Vetëvendosje.
Vitia po ashtu iu përgjigj deputetit Haxhiu për çështjen e mungesës së mjekëve të profileve të caktuara. Tha se fajin për këtë situatë e ka ish-ministri i Shëndetësisë nga partia që vjen Haxhiu, PDK, duke iu referuar ish-ministrit Uran Ismajli.
“Mungesë zero për hapjen e specializimeve për 4-5 vjet. Për besë tash unë nuk mundem me u kthy në kohë me i thanë dikujt pse nuk kemi specializime, sepse nuk kemi, nuk kemi, sot kemi shumë pak anesteziologë”, tha Vitia.
E deputeti nga VV-ja, Mirsad Shkreta pati kritika për punën e bordit të SHSKUK-së në nxjerrjen e dokumenteve të rëndësishme rregulluese për këtë institucion. Anëtarët tjerë të komisionit nuk patën mundësi të shtrojnë pyetje për shkak të agjendës së ministrit.