LAJMET E MBRËMJES

Vetëvendosje kërkon përsëritjen e votimit me postë

Anulimin e votave me postë dhe përsëritjen e votimit jashtë vendit e ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një ankese në PZAP. Vetëvendosje po pretendon se u votua kolektivisht për LDK-në e për pasojë u rrit artificialisht e disproporcionalisht shumë, e bashkë me këtë u shkel edhe ligji. Nëse PZAP-ja rrëzon këtë ankesë, LVV-ja ka të drejtë të ankohet në Supreme brenda 24 orëve, ndërsa kjo gjykatë ka afat prej 72 orësh për të marrë vendimin

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që t’i anulojë rezultatet e votimit me postë dhe ta urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ta përsërisë votimin.

Kjo u bë përmes një ankese që e parashtroi në PZAP me të cilën Vetëvendosje konsideron se procesi zgjedhor jashtë vendit që u bë përmes postës ka qenë i manipuluar nga LDK-ja.

Në ankesën 6-faqëshe Vetëvendosje ka prezantuar disa prova që sipas saj dëshmojnë qartë parregullsitë e evidentuara, të cilat pretendon se janë të kundërligjshme dhe e kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor.

Nga parregullsitë e evidentuara Vetëvendosje ka përmendur, mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve me shenjë të caktuar identike, numrat identikë të kandidatëve të votuar, e printimin a fotokopjimin e njëjtë të tyre në fletëvotimet ku ishin votuar kandidatët e njëjtë.

“Janë identifikuar elemente të shumta që provojnë qartazi parregullsitë e evidentuara mbi mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve, numrat e kandidatëve të shënjuar në mënyrë të përqendruar, formën e fletëvotimeve, formën e shënjimit të fletëvotimeve e të cilat më shumë i ngjasojnë votimit kolektiv, të personave të tjerë në emër të votuesve se sa votimit individual”, shkruhet në ankesën e Vetëvendosjes.

Po ashtu, Vetëvendosje dyshon se është bërë ndërhyrje e organizuar edhe me mënyrën e regjistrimit të votuesve nga jashtë. Kanë evidentuar se në disa raste deri në 22 është bërë regjistrimi i personave me email të njëjtë e deri në 49 herë regjistrimi me numër të njëjtë telefoni. Tutje dyshohet se është përsëritur shumë herë edhe numri unik i aplikimit.

Si prova të këtij operacioni të paligjshëm të votimit kolektiv, siç e quan ajo, LVV ka përmendur edhe dallimin në rezultate të LDK-së me votat brenda vendit dhe ato jashtë, por edhe dallimin mes votave nga përfaqësitë diplomatike dhe ato përmes postës.

Këtu Vetëvendosje dyshon se LDK u rrit artificialisht derisa përmend edhe kandidatin e saj Hisen Çekaj që përmes postës mori vota më shumë sesa në Kosovë.

Nga dëshmitë që paraqet, Vetëvendosje konstaton se rezultati nuk ka të bëjë me trupën elektorale të LDK-së por “me një dorë tjetër”.

“Në këto fletëvotime dallohet qartë një shabllon i përsëritur në disa skema: votat shkojnë për kandidatët me numër Lumir Abdixhiku 1, Kujtim Shala 2, Doarsa Kica Xhelili 3, Hysen Çekaj 80, ndërsa më pas kandidatëve të tjerë si: Bahrije Hyseni 99, Alban Zogaj 22, Gazmend Muhaxheri 5, Jeta Rafuna Hasani 45 dhe Fatmir Asllani 61”, thuhet tutje në ankesën e Vetëvendosjes.

Sekretari i përgjithshëm i LVV-së, Alim Rama, ka thënë se argumentet që ia kanë listuar janë prova të mjaftueshme se procesi i votimit me postë ka qenë i manipuluar.

“Ne po presim prej PZAP-së të vendosë që ta anulojë votimin me postë dhe të kërkojë përsëritjen e votimit me postë, sepse kjo pjesë e procesit është lënduar”, ka thënë Rama.

Në PZAP kanë thënë se kanë kohë 72 orë që të dalin me vendim.

“Subjekti politik i cili është ankuar lidhur me këto tri ankesa është: Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Këto tri ankesa kanë të bëjnë me administrimin dhe numërimin në QNR lidhur me  parregullsitë e procesimit të fletëvotimeve me postë. Lidhur me ankesat të cilat i ka pranuar PZAP-ja, pas numërimit të votave në QNR, afati për vendosjen  e tyre është 72 orë, dhe vendimet e PZAP-ja, publikohen në uebfaqen zyrtare të PZAP-së”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së.

Nëse PZAP rrëzon këtë ankesë LVV ka të drejtë të ankohet në Supreme brenda 24 orëve, ndërsa kjo gjykatë ka afat prej 72 orësh për të marrë vendimin.

E deri atëherë, në Komisionin Qendror te Zgjedhjeve kanë thënë se nuk mund të bëhet shpallja e rezultateve.

“KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-së dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së.

Ndaj ankesës së LVV-së ka reaguar kandidatja e LDK-së për deputete Jehona Lushaku e cila ka thënë se qëllimi është të zvarritet certifikimi i rezultateve meqë Vetëvendosje ka dalë e pakënaqur me to.

“Arsyeja është e thjeshtë: S’po ka numra, ashtu siç donte. E, pra mendësia absolutiste e ‘500K zemrave’ nuk ja doli, e tash turren me kontestu procesin e zgjedhjeve.  Është e dukshme që rritja e LDK-së është pengesa kryesore për ta.  E po, rritja e LDK-së është vetë puna e pandalshme e shumë aktivistëve e bashkatdhetarëve tanë që s’u ndalën asnjëherë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në organizatën Demokracia në Veprim thonë se duhet një hetim i thelluar vetëm mbi rastet e targetuara si të dyshuara, sepse në të kundërtën sipas përfaqësuesit të saj, Eugen Cakolli, do të shkaktohen disa pasoja.

“Edhe pse dyshimet mbi manipulimet e mundshme të votave duhen trajtuar e hetuar kujdesshëm, anulimi i plotë i votës së diasporës do të kishte pasoja të mëdha. Një vendim i tillë jo vetëm që do të shkaktonte vonesa në certifikimin e rezultateve, por mbi të gjitha do të ndëshkonte edhe ata qytetarë që kanë votuar në mënyrë të rregullt”, ka thënë ai.

Votimi jashtë vendit për zgjedhjet e 9 shkurtit është bërë në dy mënyra; në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës.

Sipas shifrave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 396.022 vota apo 42.27 për qind. Partisë që ka qeverisur katër vjet do t’i takojnë 48 ulëse në Kuvend. Gjithashtu, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti, është bërë njeriu më i votuar ndonjëherë në Kosovë me mbi 337 mijë vota. 

Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta me 196.353 vota apo 20.96 për qind dhe do t’i ketë 24 mandate.

Lidhja Demokratike (LDK) me 171.249 vota apo 18.28 për qind do t’i ketë 20 deputetë.

E Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66.226 vota apo 7.07 për qind në Kuvend do të përfaqësohet nga tetë deputetë.

Për herë të parë, Lista Serbe nuk do t’i ketë 10 ulëse. Partia që mbështetet nga Beogradi zyrtar do t’i ketë nëntë deputetë. Një ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit, që shërbeu si ministër gjatë Qeverisë Kurti.