Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria që drejton po bën shumë punë, por u ankua se rezultatet nuk po prezantohen nga mediat. Gjatë fjalimit gati njëorësh në Këshillin e Përgjithshëm të partisë që drejton, ai nuk përmendi asnjë dështim. Për të, punë të suksesshme kanë dëshmuar edhe Ministria e Infrastrukturës, ajo e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë
Asnjë kritikë nuk pati për veten kryeministri Albin Kurti teksa iu drejtua të shtunën anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndryshe nga adresimet e deritashme, për rreth 50 minuta sa zgjati fjalimi, ai nuk përmendi pothuajse asnjë ngecje gjatë qeverisjes gati 3-vjeçare.
Kryeministri Kurti tha se suksesi i Qeverisë në drejtësi është i konfirmuar edhe ndërkombëtarisht.
“Ne krahasohemi me veten tonë në vitin që shkoi, ndërkohë që jemi të pakrahasueshëm me qeveritë para nesh. Prej fillimit të mandatit deri tash: 30.6 milionë euro mall janë konfiskuar nga operacionet e Doganës së Kosovës; 34 rrugë ilegale janë mbyllur, prej tyre 26 në veri të vendit; 16 laboratorë të drogës janë shkatërruar, 9 prej tyre po ashtu në veri; mbi 2.2 tonë substanca narkotike janë konfiskuar; dhe mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave”, ka thënë kryeministri Kurti.
Si arritje të madhe e konsideroi miratimin e Ligjit për Fondin Sovran, me të cilin tha se forcohen ndërmarrjet publike. E, teksa foli për ekonominë, tha se ajo është më e fortë së kurrë.
Kryeministri gjykoi se ka rezultate të shumta edhe në tre nga sektorët më të kritikuar: atë të Infrastrukturës, Arsimit dhe Shëndetësisë.
“Viti 2023 ka qenë vit i infrastrukturës së transportit. Kemi nisur projekte infrastrukturore me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, siç janë hekurudha Prishtinë-Durrës, rruga Prizren-Tetovë dhe projektet rrugore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë”, ka thënë kryeministri para anëtarëve të Këshillit Drejtues të partisë që e udhëheq.
Ministria e Infrastrukturës është kritikuar vazhdimisht për mënyrën se si i menaxhon projektet.
E, kritikat më të mëdha në javën e shkuar janë adresuar ndaj Ministrisë së Arsimit, shkaku i regresit që pësoi Kosova në testin PISA, duke u ranguar ndër vendet më të fundit.
Në fushën e shëndetësisë, shumica e projekteve kapitale kanë dështuar dhe mjetet pritet të shkojnë në suficit.
Kryeministri nuk u mor me dështimet, por kritikoi mediat, që, sipas tij, nuk po raportojnë mjaftueshëm për sukseset e Qeverisë.
“Duhet të jemi afër me qytetarin përmes komunikimit dinamik me të. Shumë nga lajmet e vendimet që merr Qeveria jonë, nuk paraqiten fare ose në rastin më të mirë paraqiten pjesërisht në pjesën dërrmuese të spektrit mediatik në vendin tonë. Ne nuk kemi zgjedhur e as nuk do të zgjedhim metodat e pararendëseve tanë për sponsorizime që, në thelb, janë fasadë”, është ankuar kryeministri Kurti.
Pas fjalimit lavdërues të kryeministrit Kurti, mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje u mbyll për mediat.